EmailFacebookKontakt

Për të sjellë Aty frymëmarrjen Qiellore

Janë ditët e para të vitit të ri kishtar. E, ja, mes vargut të tyre shndrit margaritari nisës, shndriti dita e Lindjes së Nënës sonë, së Embëlsisë Hyjnore, Shën Mari! Mbart ajo në vetvete vezullimet e përhershme, ngjyrat dhe mrekullitë, po diku në zemër të Shqipërisë, atje, ku edhe emri është kuptimplotë*, në Manastirin e Ardenicës, çastet e kësaj dite sollën bashkë me dhuratat e zakonshme edhe të veçantën: gëzimin e të festuarit në Manastrin e rikthyer Kishës. Ky bekim i mrekullueshëm e kaq prekës u përcolli tek ne nëpërmjet pranisë të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas.

Të shikoje kishën atë ditë do të thonte të qeshje në shpirt me tërë forcën, bashkë me të. Qeshte, se e plagosur ishte, por nuse e ribëri Perëndia. E zbukuroi më tepër kjo Liturgji Hyjnore, e zbukuruan temjani me velin e tij, qirinjtë e panumërt, himnet dhe të rinjtë, shumë prej të cilëve ishin nga vendeve të tjera, pjesëmarrës të konferencës së Syndesmos-it.

Njerëz të moshave të ndryshme nga zonat përreth, si dhe nga Tirana, Fieri, Durrësi, Kavaja, Lukhnja, etj., mbushën atë ditë Manastirin. Po mikëpritësit? Përsëri, është fjala për të rinj. Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, që prej kthimit së Manastirit, kanë qëndruar në të të rinj nga shkolla Teologjike e Durrësit, që jo vetëm i kanë dhënë jetë, me shërbesat dhe Liturgjitë e kryera, por kanë bërë dhe bëjnë një punë të admirueshme nën drejtimin e etërve shpirtërorë, për të zhdukur rrënjësisht ato që janë të huaja për Manastirin, për të sjellë aty frymëmarrjen Qiellore. Në predikimin e tij, Kryepiskopi pasi foli për ditën e mrekullueshme dhe shpresëplotë, që festonim, theksoi punën dhe rëndësinë e të qenit të të rinjve në atë Manastir.

Çastet e bukura, edhe pse të këndshëm, mbarojnë. Por ato nuk vdesin, pasi shkruhen si yje dhe shndrisin kohë pas kohe në qiellin shpirtëror. Kështu u fiksuan edhe çastet e asaj dite, por jo vetëm në shpirtra. Aparatet fotografikë çuan në vise të ndryshme të botës copëza nga dita e Lindjes së Saj në Manastirin e rilindur, nga dita e Lindjes së Shpresës për tërë njerëzimin.

e.n.

(* Ardenicë = Burim uji, që vadit.)