EmailFacebookKontakt

“Për shumë vjet, o Kryezot!”

– 30 maj 1992, Këshilli i Përgjithshëm Kishtar i KOASH i drejtohej Patrikanës Ekumenike për caktimin e Eksarkut Patriarkal, Hirësisë së Tij, Prof. Dr. Anastas Janullatos, si Kryeepiskop i Shqipërisë –

– 24 qershor 1992, me një mesazh të Tërëshenjtërisë së Tij, Vartholomeu I dhe Sinodit të Shenjtë, njoftohet se, me vota unanime, u krye zgjedhja e kërkuar –

– 2 gusht 1992, zhvillohet ceremonia e Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Anastasit, si Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë –

Tashmë, këto data janë të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë e re të ngjalljes së mrekullueshme e të bekuar nga gërmadhat e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ku kontributi i Fortlumturisë së Tij, Anastasit, është vendimtar. Përkushtimi i Tij shpirtëror, erudicioni i gjerë, përvoja e padiskutueshme si misionar dhe edukator i talentuar e veçanërisht, kontributi si Eksark Patriarkal në Shqipëri, ishin një prezantim shpresëdhënës, që u kapërcye shumë nga realiteti i sotëm i KOASH.

65 klerikë të rinj të hirotonisur prej Kryepiskopit Anastas, mbi 60 kisha të ndërtuara nga themelet apo të rikonstruktuara e po aq objekte në punë e sipër; Shkolla Hieratike-Theologjike, e cila do të ketë së shpejti një seli të sajën; organizimi i strukturave kanonike të Kishës në të gjitha hallkat, pranimi në Këshillin Botëror të Kishave e Konferencën Evropiane të Kishave – janë vetëm disa nga etapat e kësaj rruge, drejt një të ardhmeje të sigurtë, të shtruar me bekim Perëndie dhe kontributin e pandërprerë e vetësakrifikues të Fortlumturisë së Tij.

Nuk kanë munguar pengesat, madje edhe shpifjet e fyerjet, ndaj figurës së Kryepiskopit tonë kanonikisht të zgjedhur. Por, me besimin e patundur te Perëndia, me veprën e mrekullueshme kishtare, fetare, humanitare e kulturore, larg implikimeve politike, Ai bindi, hap pas hapi, edhe më skeptikët.

Ndaj, në këto data të shënuara për Kishën tonë, të gjithë ne, i gjithë Komuniteti Orthodhoks i Shqipërisë, i shprehim Atij mirënjohjen më të thellë, jetë të gjatë, me shëndet, paqe e dashuri, për të mirën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të vendit tonë. “Për shumë vjet, o Kryezot!”.