EmailFacebookKontakt

Për Ngjalljen dhe për Jetën

Jashtë varrit të mbyllur të mikut të tij të vdekur Llazar, Isu Krishti tha: “Unë jam Ngjallja edhe Jeta” (Joani 11:25).

Jashtë varrit të Tij të hapur Isui i Ngjallur takoi Gratë Mirosjellëse dhe u tha: “…jepuni zë vëllezërve të mi që të shkojnë në Galile edhe atje do të më shohin” (Matth 28:10).

Në Vithani siguroi Marthën se ka fuqinë të ngjallë vëllain e saj Llazarin. Dhe e ngjalli. Sepse Ai është Ngjallja e njërëzve.

Në rrugën për në Jerusalem provoi se është vetë Ngjallja; dhe ftoi Nxënësit e Tij që Ta shikojnë. Dhe kur E panë në malin e Galilesë, “siç u premtoi”, provoi se fjala e Tij në sofitë në Jerusalem: “kini zemër, unë e kam mundur botën” (Joan 26:33) u realizua; e mundi botën e së keqes dhe të vdekjes dhe u ngjall. Dhe madje, kjo fitorja e Tij i jep pushtet të pakufizuar dhe në hapësirë dhe në kohë: “M’u dha çdo pushtet në qiell edhe mbi dhe”. Dhe se do të jetë bashkë me ta “gjer në të mbaruarit e jetës” (Mat. 28:18). I Kryqëzuar dhe i Ngjallur është Fitimtari; Shpëtimtari.

Erdhi në tokë për t’i falur njeriut “parajsën e humbur” dhe pavdekësinë. Dhe njeriu i vdekshëm shperbleu të Pavdekshmin me vdekjen; me llojin më të frikshëm të saj – Kryqin. Një gjë, veçse, nuk arritën fuqitë e së keqes: Ta molepsin me helmin e mëkatit. Në pamëkatësinë e Tij të përmbikulluar nuk gjetën vend për t’u nguliur “shigjetat e zjarrta të djallit” dhe për të djegur planin e shpëtimit tonë.

Që atëhere që Krishti u ngjall – para 2 mijë vjetësh – Ngjallja bashkëbisedon me vdekjen dhe pranvera e natyrës shpalos fitoren, ndërkohë që lambadha, këmbana dhe njerëz panegjirizojnë brenda dritës dhe himnit “Krishti u ngjall”!

Vdekja përmblodhi kanosjen e saj përpara Ngjalljes jetëdhënëse të Perëndinjeriut. Që atëhere rruga e pavdekësisë qëndron e hapur tej për tej dhe fton njeriun të kalojë, duke i marrë nga supet barrën e mëkatit – brenda së cilës fshihet vdekja. Dhe, pastaj, i mbetet zgjedhjes së vullnetshme të njeriut të pasojë të Ngjallurin, të kungohet me Ngjalljen, ta bëjë fitoren e Tij personale.

Ngjallja është mister. Mister gëzimi, lirie, hyjnizimi. Sepse është mister Dashurie. Dhe dashuria është dëshmi e padiskutueshme e perëndishmërisë. Mister është edhe vdekja – mister rrëzimi, prishjeje, deshpërimi. Por mbi varrin e dënimit tonë Ngjallja e Krishtit mbjell shpresën e pavdekësisë sonë dhe në errësirën e Ferrit tonë mëkatar ndez llambadhën e asaj faljeje që “lindi nga varri i Krishtit”.

E mistershme bota dhe qenia jonë; edhe dëshiron zjarrt dritë dhe jetë. Një lëvizje mund të falë brenda nesh që të dyja: E ndritshme drita e Ngjalljes ashtu siç nga brenda varrit të Tërëshenjtë ndezi llambadhën tonë të Pashkës, për të rrëshqitur në shpirtin tonë dhe për t’i sjellë ftesën: “Mësuesi – i Ngjallur – është këtu edhe po të thërret” (Joan 11:28). Eshtë pranë teje dhe të thërret në emrin tënd … për Ngjalljen edhe për Jetën.

Krishti u Ngjall, vëllezër!

“Dhe si tha këto, Krishti thiri me zë të lartë: Llazar dil jashtë! Dhe i vdekuri doli, i lidhur këmbë e duar me fasho, dhe me fytyrën të mbështjellë me peshqir. Isui u tha atyre: Zgjidheni, e lëreni të shkojë”. (Joani 11: 43-44)