Fatkeqësisht, një periudhë e trazuar ka nisur të shfaqet në realitetin shqiptar. Në kohën që e gjithë bota mbështetet në të drejtën e pronës, e cila shprehet fuqishëm në Kushtetutën e Bashkimit Evropian, një përpjekje grabitqare po zhvillohet në kurriz të kishës në qendër të Përmetit. Duket që sot organet shtetërore kanë vendosur të mos e rehabilitojnë padrejtësinë që ka nisur në vitin 1960, duke rishtetëzuar kishën e Shën Marisë dhe duke e përafruar me perëndiluftuesit më të egër që ka njohur historia bashkëkohore. Fatkeqësisht, shteti ligjor i së drejtës po vonon të kryejë funksionet e tij kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të komuniteteve fetare në Shqipëri dhe në garantimin e lirisë.
Për informacion, do të doja t’ju thoja, se rrënja “kult” e fjalës kulturë do të thotë “adhurim”, të lidh më shumë me besimin sesa me bastisjen që ju doni të organizoni. Thirrja që bëhet për shkatërrimin e kishës tregon ankthin e atyre që po përpiqen për këtë. Ndërsa, ne orthodhoksët ndihemi të qetë, sepse kemi Perëndinë në krahun tonë, me të cilin askush nuk mund të luftojë dhe se e drejta e pronave të komuniteteve fetare në Shqipëri garantohet dhe në rang ndërkombëtar.
Ata që kërkojnë kishën e Shën Marisë së Pazarit në emër të kulturës së qytetit të Përmetit, duhet ta dinë mirë se kultura e vërtetë bazohet në respektimin e së drejtës, të së vërtetës historike dhe të lirisë së individit. Të quash kulturë rishtetëzimin e kishave ashtu si në vitin 1967, do të thotë të arsyetosh vetëm si “kulturorët” e Përmetit. Për fat të keq, këta po bëjnë të njëjtat përpjekje që bëri Enver Hoxha në vitin 1967.
Nëse mund ta quash përfitim personal shenjtërimin e një kishe, hapjen e një kopshti për 40 fëmijë, ngritjen e një parku lojërash në qendër të qytetit, hapjen e një salle kompjuterash dhe organizimin e një sërë kursesh për moshat e reja, do të thoja se ata kanë të drejtë. Por ama do të desha t’u kujtoja drejtuesve të “kulturës” përmetare se kishin ideuar të vetmin “aktivitet kulturor” që konsistonte në organizimin e një kazinoje lojërash bixhozi, që për “kulturë” zbrazte xhepat e të rinjve përmetarë. Përmetarët nuk hezituan ta quanin kazinonë në qendër të Përmetit, “Shtëpia e Antikulturës”.
Unë i njoh “kulturorët” e Përmetit dhe e di që edhe nga idealet me të cilat janë brumosur, kanë alergji nga njerëzit me raso, te cilët i shikojnë me të njëjtin sy si regjimi ateist. Kjo ndodh edhe sot me disa pushtetarë lokalë dhe ndonjë politikan që vjen nga Tirana, që kishën “Shën Maria e Pazarit” në Përmet duan ta kthejnë për së dyti në shtëpi kulture. Iu themi këtyre “pseudokulturorëve”, se kur nuk ekzistonte shtëpi kulture dhe as deputet dhe kryetar bashkie, kush e bënte këtë kulturë. Është Kisha Orthodhokse që ka kultivuar kulturën prej 2000 vjetësh dhe vazhdon, njëkohësisht për informacion më të detajuar, unë mund t’ju tregoj fotografinë e kishës së vjetër. Për ne orthodhoksët ka shumë rëndësi fakti që ta kemi kishën në vendin tonë të shënjtë. Edhe sikur të na japin 5-fishin e vendit që kemi në pronësi, ne nuk do të pranonim të largoheshim, pasi trashëgiminë tonë shpirtërore ne e kemi të lidhur me vendin ku për shekuj i janë drejtuar lutje Perëndisë. Nga ana tjetër drejtoria kulturore duke përdorur shumën që ne kemi derdhur për të paguar investimet e pakta të shtetit si edhe me një fond shtesë mund të ndërtojë shtëpinë e kulturës. Shteti ka vënë në dispozicion shtëpinë e ish-ushtarakëve për ta kthyer në shtëpi kulture, por këta nuk e bëjnë vetëm për të vazhduar sulmet kundër kishës. Në protestat tona ne kemi përdorur shprehjen “stop terrorit ateist”, megjithëse kjo shprehje bezdis veshët e palës antikishtare. Ne nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi thënë të vërtetën, pasi rishtetëzimi i kishës si në vitin 1967 nuk përbën gjë tjetër veçse një rikthim tek dhuna e verbër ateiste.
Orthodhoksët e Përmetit nuk kanë ndër mend të tërhiqen nga vendimi që kanë marrë. Kanë me vete të vërtetën, historinë, bashkëqytetarët, Shën Marinë. Janë të bindur se prej kishës së tyre shekullore buron edhe kulturë. Nga sa thamë më lart bëhet e qartë se “Shën Maria e Pazarit” është shumë më tepër se Shtëpia e kulturës, është TEMPULLI I KULTURËS, me të cilën mund të krenohen të gjithë. Është pjesë e pandashme e kulturës shekullore përmetare, e ndërtuar me gjakun dhe djersën e dhjetëra brezave.
Ikonom Vasil Thomollari