Dikur udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror e njëkohësisht, drejtues i një kori fëmijësh. Për pikëpamje liberale në art dhe për të mësuarit e një mënyre ëngjëllore të të kënduarit të fëmijëve, merr dënim 7 vjet me burgim. Sot, midis te tjerash, është drejtues i korit pranë Kishës së Ungjillëzimit.
-Kur është krijuar kori i Kishës Orthodhokse të Tiranës dhe cila qe pjesëmarrja juaj e parë në të?
– Tre vjet më parë, me hapjen sërish të kishave, u mendua riorganizimi i korit të saj, i cili më parë drejtohej nga z. Dh. Beduli. Për arsye shëndetësore s’munda ta pranoj detyrën, që e kreu për disa kohë dirigjenti Eno Koço (për pak kohë e pati në ngarkim z. Petrika Trako). Më pas, m’u ripropozua drejtimi i korit, gjë që e prita me kënaqësi dhe e kryej edhe sot po me të njëjtën kënaqësi.
-Duke marrë shkas nga harmonizimi i zërave brenda korit, do doja të dija diçka mbi përbërjen e tij.
– Kori përbëhet nga artistë të trupave profesionistë të Tiranës, si P.Zguro, Gj. Suljoti, K. Gjergji, nga artiste me moshë të vjetër, si D.Papajani, K.Çika, nga veteranë të korit si T.Kuqi, K.Tasho e artistë të tjerë, me moshë relativisht të re.
-Duke pasur parasysh shoqërimin që i bën kori Liturgjisë Hyjnore, mund të na thoni diçka mbi repertorin e tij?
-Repertori përbëhet nga pjesë kishtare të kompozitorëve klasikë orthodhokse, si Cajkovski, si edhe prej tropareve, të Ungjillëzimit, “Himni Keruvik”,”Mëshirë paqeje” etj., të marra nga Hyjnorja e Imzot Fan Nolit. Po kështu, në të kremten e Pashkës këndohen dhe pjesë të krijuara nga kompozitorët tanë, si K. Lara, Th. Gaqi etj.
-A mendoni se me punën tuaj keni arritur qëllimit dhe rolit që duhet të luajë kori në kishë?
– Jo. Këtë nuk do ta thoja. Vërtet bëjmë prova, këndojmë, kërkojmë të rifreskojmë korin, të përsosim mënyrën e të kënduarit, për të qenë sa më afër shpirtit të besimtarit, por ata që gjykojnë më mirë, besoj se janë pjesëmarrësit gjatë Liturgjisë.
-Jo çdo gjë është e lehtë në atë që mendon se duhet arritur. Cilat do të ishin disa nga vështirësitë në punën e korit dhe si mendoni se mund të shmangen?
– Për të arritur atë që kërkohet nga kori, kryesore do të ishin provat e herëpashershme, ku secili të kuptonte përgjegjësinë e tij. Por shqetësim për ne ka qenë mungesa e qetësisë në kishë. Sikur të mbretëronte kjo qetësi absolute, kori, si rrjedhim do të këndonte me zë të qetë e kështu riti fetar do ta kryente funksionin e vet në mënyrë të përkryer.
-Pak më sipër theksuat shprehje të tilla, si “rifreskim” dhe “përsosje” të korit. Si do ta lidhnit këtë me punën tuaj në të ardhmen.
– Veç pjesëve për të cilat fola dhe të atyre të krijuara nga disa kompozitorë, i është kërkuar ndihmë për të krijuar pjesë kishtare edhe disa kompozitorëve të tjerë, punë për të cilën tregon një kujdes të veçantë vetë Kryepiskopi Anastas. Për mua përsosja do të ishte krijim i një kori me zë ëngjëllor, me ndjeshmërinë e ngrohtësinë që ta ofron vetë atmosfera. Këtë kërkoj unë nga kori, këtë e kërkojnë besimtarët e mbi të gjitha e kërkon vetë ky mision i shenjtë.
Ju faleminderit!
Intervistoi: Kristina Hanxhari