Me rastin e festës së Pashkës Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij Anastas shkëmben letra festive me të gjithë udhëheqësit e Kishave Orthodhokse, shenjë e të qenit “një Kishë e Shenjtë e Përgjithshme dhe Apostolike.” Letra festive Kryepiskopi Anastas shkëmben gjithashtu edhe me udhëheqësit e kishave të mëdha të krishtera. Po botojmë mesazhin që u ka dërguar Kryepiskopi Anastas Patrikëve dhe Kryepiskopëve orthodhoksë, si edhe fragmente nga disa prej letrave që ai ka marrë.
Fort i shtrenjtë vëlla dhe bashkëmeshtar më Krishtin,
“Tani u mbushën me dritë të gjitha, qielli dhe toka edhe të nëndheshmet”, sikurse ne festojmë Ngjalljen e Krishtit, nëpërmjet së tilës “gjithësinë njerëzore Ai e mori nga fundi i Hadit, dhe në qiell e ngriti”. “Ndriçohu, ndriçohu o Jeruzalem i ri”, ju njerëzit besimtarë të të Ngjallurit, “se lavdi e Zotit lindi përmbi Ty”.
Tani duke mbartur edhe ne dritën e shenjtë dhe duke rrezatuar “dritë nga drita që nuk perëndon” vështrojmë drejt së ardhmes, në eskhata (kohët e fundit), në sigurinë se kryqet e martirizimit gjatë kohrave dhe vendeve, personalet si edhe ato të grigjave tona shpien tek Ngjallja.
Brenda këtij ndriçimi të begatë të Pashkës, le t’i urojmë njëri-tjetrit në dashuri që t’A njohim Atë gjithmonë edhe më shumë dhe të shpallim “cila është shpresa e të thirrurit të Tij, edhe cila është pasja e lavdisë së trashëgimit të Tij tek shenjtorët, edhe cila është madhështia e pamasë e fuqisë së Tij tek ne që besojmë, sipas veprimit të pushtetit të fuqisë së Tij, të cilën e veproi te Krishti kur e Ngjalli Atë së vdekurësh” (Efes. 1:18-20). Duke vështruar dhe përjetuar misterin e Pashkës le të nxjerrim shpresë, thesar dhe fuqi. Shpresë për të tashmen dhe të ardhmen e Kishave Orthodhokse lokale; pasuri jete duke marrë pjesë në thesaret e pashterëshme të dashurisë së Tij; fuqi të pamposhtshme, që të mund të kontribuojmë në mirëkuptimin, pajtimin dhe paqen mes kushteve të vështira dhe konflikteve të ndryshme.
Duke i drejtuar Fortlumturisë Tuaj Fort të shtrenjtë përqafimin ngjallësor të dashurisë, vëllazërisht uroj që drita paskale të shkëlqejë gjithmonë në dhiakoninë tuaj të Kryqit dhe të Ngjalljes, për të mirën e gjithë njerëzve të bekuar të Kishës së Shenjtë të ……… dhe Orthodhoksisë anembanë botës.
Krishti u Ngjall!
Vëllai Juaj më Krishtin
Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë
+ Anastasi
Pashkë 1995
—
Kryepiskopi i Kostandinopojës dhe Patriku Ekumenik
Nr. Prot 414
Fort i lumtur Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Vëlla fort i dashur dhe i shtrenjtë më Krishtin Perëndi dhe bashkëmeshtar i Modestisë sonë, zoti Anastas, duke përqafuar vëllazërisht më Zotin Fortlumturinë Tuaj tepër të respektuar, ju përshëndesim me kënaqësi të madhe.
Krishti u Ngjall!
Duke kremtuar festën e madhe dhe të shenjtë, sot më shumë se kurrë, në këto kohë tinzare e apokaliptike që po kalojmë, e ndjejmë thellësisht kuptimin e saj. Nga Ngjallja e Shenjtë forcohemi në besimin se destinacioni i njeriut nuk është vdekja dhe prishja, por se përtej vdekjes ekziston Ngjallja dhe jeta, përtej frikës që ka njeriu nga një shkatërrim total eventual, vigjëlon Providenca e Krishtit që Pësoi, u Varros dhe u Ngjall për ne.
Duke u gëzuar për këtë së bashku me Fortlumturinë Tuaj, vëllezërit e tjerë më Krishtin dhe grigjën e zgjedhur orthodhokse, me shpresën dhe me aspiratën e të mirave të së vërtetës, të dritës dhe të jetës, të premtuara nga Zoti i Ngjallur, të cilave u jep gjithnjë kuptim ngjarja unikale e Ngjalljes, përqafojmë dhe puthim Fortlumturinë Tuaj përsëri me puthje të shenjtë dhe ju përshëndesim me dashuri vëllazërore dhe nderim të veçantë.
Vëllai i dashur më Krishtin i Fortlumturisë Suaj të nderuar
I Kostandinopojës
+ Varthollomeu I
—
Patriku i Antiokisë
Nr. Prot. 207
Fort i lumtur Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fort i shtrenjtë dhe i dashur vëlla më Krisht Perëndinë dhe bashkëmeshtar i Modestisë sime zoti Anastas, Fortlumturinë Tuaj fort të respektuar duke përqafuar vëllazërisht më Zotin ju përshëndesim me kënaqësi të madhe.
…Duke i dërguar Fortlumturisë Suaj mesazhin engjëllor “Krishti u Ngjall”, duke u ngazëllyer së bashku me Ju për festën e ndritshme e shpëtimtare për botën të Pashkës, duke uruar Fortlumturinë Tuaj edhe për festën e nderuar të emrit, dhe duke Ju uruar shëndet dhe jetëgjatësi në dobi të Kishës së Shenjtë të Shqipërisë dhe grigjës shpresëtare Krishtdashëse të saj, i lutem Perëndisë së Ngjallur të dashurisë dhe të paqes që të ruajë dhe mbrojë atë dhe gjithë orthodhoksët e krishterë të saj, … dhe duke plotësuar kërkesat e drejta të besimtarëve të të Ngjallurit.
Këto me dashuri të përzemërt i drejtojmë Fortlumturisë Suaj të Shtrenjtë dhe duke ju përqafuar përsëri me rastin e Ngjalljes së Iisu Krishtit, mbetemi me nderim të veçantë,
Vëllai i dashur i Fortlumturisë Suaj të Ngjallur më Krishtin
+ Ignati i Antiokisë
—
Diodori I, Me mëshirë të Perëndisë, Patriark i qytetit të shenjtë të Jerusalemit dhe gjithë Palestinës.
Nr. Prot 229
Anastasit, Fort të lumturit, Kryepiskop të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, përqafim të shenjtë më Iisu Krishtin, të Ngjallur me lavdi së vdekurësh.
… Të mëshiruar edhe ne qëndrojmë si Patrik i Tokës së Shenjtë rreth këtij Varri të Tërëshenjtë të Krishtërimit, ngrohtësisht drejtojmë prej tij lutje e falje për paqen e mbarë botës, mirëqëndrimin e Kishave të Shenjta të Perëndisë dhe, duke kujtuar në mënyrë të veçantë emrin e Perëndinderuar të Fortlumturisë Suaj të Shtrenjtë, i lutemi Shpëtimtarit tonë të Ngjallur me lavdi dhe Kryebariut Krisht, të na ndriçojë me rrezet e pandërtuara që burojnë nga Drita e Tij e Shenjtë të gjithë ne, që të kemi mirëkuptim me paqe e harmoni në Potirin e përbashkët të dashurisë, si pjesë të kulluar të vetë Trupit të Tij të Shenjtë.
…Duke ju lutur Zotit të Ngjallur t’Ju japë jetë të gjatë me shëndet, forcë dhe ngazëllim shpirtëror, Ju përshëndesim.
Nga qyteti i Shenjtë i Jerusalemit. Pashkë 1995,
Vëllai i dashur më Krishtin i Fortlumturisë Suaj të Perëndiruajtur
+Diodor I, Patrik i Jerusalemit
—
Patriku i Moskës dhe gjithë Rusisë, Aleksej II
Lumturisë së Tij Fort të Lumturit Anastas, Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Lumturia Juaj, fort i dashuri Vëlla!
Krishti u Ngjall!
…Duke ndjekur zakonin traditional të vëllazërisë së bashkuar në paqe e dashuri të Përfaqësuesve të Kishave të Shenjta të Zotit, nxitojmë të ndajmë me Ju gëzimin tonë për Ngjalljen e Krishtit, t’Ju përshëndesim nxehtësisht në këtë ditë të shënuar e të shenjtë dhe, duke ju puthur tri herë pashkërisht, t’ju dëshmojmë, Shkëlqesia Juaj, dashurinë tonë të pandryshuar në Krishtin e Ngjallur.
Dëshirojmë me gjithë shpirt që Shpëtimtari i botës, që u ngrit nga Varri në tri ditë, t’Ju falë shumë vite në shëndet shpirtëror e trupor dhe së bashku me grigjën Tuaj të shpëtuar nga Zoti të prisni madhërishëm këtë Festë të festave, t’i këndoni me zë të pashuar Lavdisë së Zotit dhe të merrni gjithnjë frytet e begata e të bekuara që dërgon nga lart Shpëtimtari.
Mbetemi me dashurinë vëllazërore në Krishtin e Ngjallur.
Patriku i Moskës dhe gjithë Rusisë
+ Aleksej II
Pashka e Krishterë v. 1995
—
Fortlumturisë së Tij, Anastasit, Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë
Fortlumturia Juaj, vëlla fort i dashur më Iisu Krishtin, Mposhtësin e vdekjes
Krishti u Ngjall!
Në botën që jetojmë, të trazuar nga tirania e luftërave, varfëria, sekularizimi me pasojat e veta negative, Kisha Orthodhokse thërritet të pohojë të vërtetën se Krishti u ngjall, se vdekja nuk është realiteti i fundit, se në këtë botë njerëzit janë vetëm pelegrinë në Mbretërinë qiellore të përjetshme. Duke pohuar këtë të vërtetë, bota përshkohet nga fuqia e Shpirtit të Shenjtë, problemet e saj merren me përgjegjësi të madhe dhe rruga drejt Perëndisë konsiderohet qëllimi i jetës.
Përqafojmë vëllazërisht Fortlumturinë Tuaj dhe i lutemi Iisu Krishtit, Mposhtësit të vdekjes, t’ju mbrojë Ju me dhuratën e mëshirës së Tij për shërbimin e besimtarëve në Kishën e Shenjtë Orthodhokse të Shqipërisë.
Vërtet u Ngjall!
+Teoktisti
Patriku i Kishës Orthodhokse të Rumanisë
Pashkë 1995
—
Fortlumturisë së Tij, Anastasit, Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë
…Bashkë me Petrin, me Apostujt dhe vazhduesit e tyre, dhe si ata, ne besojmë te Iisui, i ngjallur së vdekurësh, dhe i vendosur Zot për Lavdi të Perëndisë At (Fil. 2, 11). Kalimi nga Krishti tek Ati i Tij, i zbuloi njeriut thirrjen e tij të vërtetë: të jetojë me këtë dashuri dhe t’i japë Atij edhe jetën për vëllezërit e Tij (Joan, 3, 12). Ngjallja e Tij na zbulon kuptimin e aventurës njerëzore: Shpëtimi nëpërmjet dhuratës dhe faljes. Në shembullin e Krishtit, ne jemi të ftuar të rrezikojmë jetën tonë për dashuri (Joan. 14, 6; 1: 2,6).
I tillë është besimi ynë. E tillë është shpresa jonë. I tillë është burimi i gëzimit që dishepujt e të Ngjallurit janë thirrur të gjithë që t’i lajmërojnë botës. Me këto ndjenja dhe me një besim të ripërtërirë nga fuqia e jashtëzakonshme e Shpirtit të Perëndisë, ju uroj të jetojmë në plotshmëri gëzimin paskal, me gjithë besimtarët e Kishës Suaj. Dhe ju ripërsëris Fortlumturi, gjithë përdëllimin tim.
Gjon Pali II
Vatikan, 4 prill 1995
—
Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit
Fortlumturia Juaj, në këtë periudhë Pashke ju dërgojmë juve, vëlla i nderuar më Krisht përshëndetjet e ngrohta të Kishës së Anglisë dhe gjithë komunitetit anglikan…
Përtej agonisë së Kryqit, gjendet mrekullia e mëngjesit të Pashkës, ku duke u Ngjallur nga varri, Iisui na çoi nga mëkatësia e kësaj bote në shpresën e Perëndisë.
Besimi i Pashkës, të të cilit jemi pjesëtarë, s’mund ta zvogëlojë realitetin e kryqit dhe pësimit, por duke jetuar nën drejtimin e Shpirtit të Shenjtë Kisha predikon një mesazh plotësie dhe faljeje në një botë nevojat e së cilës janë të mëdha. Perëndia vazhdoftë të pasurojë shërbimin tuaj nëpërmjet fuqisë dhe gëzimit të besimit të Pashkës. Dhe le të na sjellë neve në një unitet më të thellë të bazuar në dashurinë çliruese të Perëndisë që është pulsi i besimit tonë të përbashkët.
Juaji më Krishtin
+ George
Kryepiskop i Kanterburjt