Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë përpiqet që t’i gjendet pranë popullit, ta mbështesë dhe ta ngushëllojë atë, duke i folur me gjuhën e së vërtetës së përjetshme. U kujton të gjithëve detyrën për solidaritet, ndershmëri, përgjegjshmëri, zell për punë, për falje dhe përzgjedhje të drejtë ndër ata të cilët i kërkojnë besueshmërinë.
Në këto çaste kritike bashkohet në sprovën e madhe të mijëra njerëzve të pambrojtur. Dhe është e detyruar të kujtojë në çdo drejtim se, që të kapërcehet kjo sprovë e re, do të duhet të hiqet dorë nga çdo metodë dezinformimi dhe çdo formë dhune. Dhuna pjell urrejtjen dhe urrejtja errëson mendjen dhe zemrën, duke çuar në një rreth vicioz shfrytëzimi dhe trazirash.
Për kapërcimin e krizës është e nevojshme që nga të gjitha palët të ekzistojë më shumë kthjelltësi, më shumë e vërtetë, më shumë predispozicion mirëkuptimi, më shumë bashkëpunim të të gjithë përgjegjësve dhe specialistëve, dhe kryesisht më shumë drejtësi dhe dashuri në përpjekjen e kompensimit. Nuk është e drejtë që viktima të jetë populli i pafuqishëm dhe i painformuar.
Njëkohësisht, i ftojmë besimtarët, veçanërisht të dielën që vjen, më 16 shkurt, të fuqizojnë lutjet e tyre që Perëndia t’i ndriçojë të gjithë ata sa merren me këto çështje, që t’i përballojnë ato me ndershmëri, sinqeritet dhe urtësi. Besimi tek Perëndia i së Vërtetës, i Drejtësisë, i Fuqisë dhe i Paqes do të ndihmojë që të gjenden zgjidhjet e drejta dhe të shohim të ardhmen me më shumë shpresë.
Tiranë, më 12 shkurt 1997
Kryepiskopi i Tiranës
dhe gjithë Shqipërisë
Prof. Dr. Anastasi