EmailFacebookKontakt

Pengohet kremtimi liturgjik Orthodhoks në 527 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit

Kremtimi i një përvjetori të Heroit tonë kombëtar dhe “Kampionit të Krishterimit”, Gjergj Kastriotit, ka të bëjë jo vetëm me një nga momentet më të lavdishme të popullit shqiptar, jo vetëm me një simbol kombëtar të patjetërsueshëm, por është edhe rast një kremtim dhe falenderimi liturgjik. Ndaj, për 527 vjetorin e vdekjes së tij u mendua të bëhej një kremtim i tillë (ishte biseduar që Komuniteti Orthodhoks dhe ai Katolik do bënin nga një celebrim të veçantë, në orë të ndryshme). Liturgjia do të bëhej në Memorialin e Gjergj Kastriotit, ish kisha e Shën Kollit, ku ndodhej varri i Heroit, i shkatërruar nga turqit dhe ku ai mblodhi gjithë bujarët shqiptarë në Kuvendin e Madh të Lezhës (Kremtime të ngjashme ishin mbajtur në tri vitet e fundit, si p.sh vitin e kaluar, nga Protopresviter Jani Trebicka, nga Korça, Epitrop i Përgjithshëm Arkieratik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë). Por…

Një protestë e çuditshme kundër mbajtjes së kremtimeve fetare

Meqë në këtë Memorial kemi të bëjmë me një monument historik unikal për vendin tonë, Kryesia Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë iu drejtua për aprovim Ministrisë së Kulturës, e cila iu përgjigj në mënyrë pozitive (shih shkresën e botuar në f.3). U lajmëruan edhe besimtarët orthodhoksë të qytetit të Lezhës që liturgjia do të celebrohej në orën 9.30 të datës 17 janar. Por, në datën 16, u befasuam nga dy shkresa të ngjashme (të cilat po i botojmë si dokumenta sqarues në f.3), njëri nga Hirësia e tij Hafiz Sabri Koçi dhe tjetra nga z. Bardhyl Fico i Sekretariatit të Fesë pranë Kryeministrisë. Në to protestohej për kremtimin e liturgjive përkujtimore nga të dy komunitetet e krishtera, me argumentimin se aty ka ekzistuar edhe një xhami. Dhe, në të dyja, flitej për konflikte të mundshme, për të cilat do të duhej të mbanim përgjegjësi në rast se celebronim.

Të bën përshtypje, veçanërisht, ndërhyrja e zotit Bardhyl Fico, i cili flet me termat e një përfaqësuesi të Komunitetit Mysliman, në një kohë që shkresa mban kokën “Kryeministria” dhe vjen edhe në emër të Sekretariatit të fesë. Përdorimi i petkut zyrtar është vërtet shqetësues, sepse dëshmon që kemi të bëjmë edhe me një qëndrim shtetëror, me një përzierje të drejtpërdrejtë të shtetit në çështje fetare e jo vetëm me një mosmarrëveshje midis komuniteteve fetare.

Megjithë diskutueshmërinë e argumenteve të paraqitura, nga ana e Kryesisë së Komunitetit Orthodhoks u vendos, për të shmangur çdo mundësi incidenti, që të anullohej liturgjia dhe vetëm të dërgohej një përfaqësi, që të sqaronte besimtarët, por edhe të protestonte për këtë qëndrim të padrejtë. Sepse, ndërsa dihet historikisht se akti i parë i pushtuesit turk pasi mori qytetin, ishte shkatërrimi i Kishës së Kuvendit, dhunimi i varrit të Gjergj Kastriotit dhe ndërtimi pastaj mbi të i një faltoreje të vet, ky Memorial mbetet, përtej çdo diskutimi të pjesshëm e tendencioz, një dëshmi e jashtëzakonshme dhe e pazëvendësueshme e identitetit tonë si popull. Sot aty kanë mbetur vetëm muret e Kishës historike dhe është absurde të mbyllësh sytë para këtij fakti dhe të mos e marrësh në konsideratë, nëqoftëse e ndjen veten, sadopak, shqiptar, të lidhur me këtë të kaluar të lavdishme.

Policia urdhërohet të pengojë… vetëm kremtimin orthodhoks

Por, le të kthehemi tek ajo çka ndodhi më 17 janar. Në orën 9.30, përfaqësuesi i Kryesisë së KOASH, z. Aleko Dhima dhe përgjegjësi për fenë orthodhokse në Sekretariatin e Fesë, z. Lekë Tasi, u ndodhën në vendin e Memorialit të Gjergj Kastriotit, ku, përveç besimtarëve të shumtë, të cilët u indinjuan kur u njoftuan prej tyre se liturgjia përkujtimore për Heroin nuk do të kryhej, u konstatua me habi edhe një prezencë tepër e madhe dhe e pajustifikueshme policësh dhe mjetesh të tyre.

Pas kësaj, përfaqësuesit shkuan në Bashki dhe Këshillin e rrethit, ku personat përgjegjës të të dy institucioneve, u deklaruan se nuk kishin ndonjë rezervë ndaj lejes së lëshuar nga Ministria e Kulturës për kremtimin në memorial dhe se nuk kishin pasur ndonjë kundërshtim për zhvillimin e liturgjisë. Në këto momente, aty mbërritën edhe përfaqësues zyrtarë të Policisë lokale, të cilët menjëherë deklaruan (pak si me vonesë, pasi liturgjia ishte pezulluar tashmë nga vetë Komuniteti Orthodhoks), se nuk mund të lejohej kryerja e ceremonisë fetare, sepse, sipas tyre, nuk ishte marrë leje më parë nga organet përkatëse të Ministrisë së Brendshme. Ata pranuan se Policia kishte dalë te Memoriali jo për të ruajtur rendin, por për të ndaluar kryerjen e mundshme të një liturgjie nga ana Komuniteti Orthodhoks. Ndërsa pyetjes, se nëse ky ndalim ishte i vlefshëm për të dyja komunitetet e krishtera, ata iu përgjigjën, se për këtë nuk kishin asnjë njoftim dhe se urdhërat për këto veprime i kishin marrë nga Tirana…

Dhe në fakt, në orën 14.00 mesha e organizuar nga Komuniteti Katolik u celebrua rregullisht nga ambasadori i Vatikanit në Shqipëri, Nunci Apostolik, Mons. Ivan Dias, pa as më të voglin reagim (siç ishte paralajmëruar), nga besimtarët myslimanë të qytetit. Në këtë meshë morën pjesë edhe disa besimtarë orthodhoksë, për të nderuar Heroin Kombëtar.

Ngjashmëri qëndrimesh provokuese dhe diskriminuese

Muaj më parë, pas incidentit të Pashkës 1994, ditën e nxjerrjes së Epitafit, pati deklarime nga organet më të larta të shtetit, se gabimi ishte i Komunitetit Orthodhoks, i cili nuk kishte pse të kërkonte leje në polici për një kremtim fetar dhe se në raste të tilla nuk është e nevojshme një leje e tillë. Por, sërisht, ndodhi që përgjegjësit e Policisë të një rrethi ndalojnë në mënyre kategorike, me urdhër nga Tirana (siç deklaruan vetë), një kremtim fetar orthodhoks. Madje, e ndalojnë megjithëse ai do të kryhej në një mjedis ku të drejtën për ta autorizuar e kanë ligjërisht Bashkia dhe Ministria e Kulturës dhe kur ky kremtim u lejua për një komunitet tjetër fetar.

Atëhere shkruanim se uronim që vërtet ajo ndodhi të kishte qenë thjesht një iniciativë e izoluar, personale, e një shefi policie rajoni. Por, përsëritja e të njëjtit veprim është e vështirë të trajtohet si e tillë, pra si gabim individual, sepse rrjedha e ngjarjeve demonstron të kundërtën. Se nëqoftëse policia zbatonte një urdhër qeveritar, pse u ndaluan vetëm orthodhoksët? Dhe, nëqoftëse u dha urdhër vetëm për të ndaluar kremtimin orthodhoks, a nuk është ky një diskriminim i hapur ndaj Komunitetit Orthodhoks? Eshtë anormale qoftë edhe ta konceptosh, që Heroi ynë Kombëtar të nderohet nga një ambasador i huaj dhe kjo e drejtë t’i ndalohet arbitrarisht një prifti shqiptar.

Nuk mjafton të deklarosh lirinë e fituar fetare, por është e domosdoshme edhe të garantosh kushtet që ajo të jetë konkrete dhe joe ndërtuar mbi urdhra arbitrare, antiligjore dhe selektive, që, normalisht, prekin e zbatohen vetëm për komunitetin tonë fetar.

Thoma Dhima