* * *
Një herë, natën e Krishtlindjes Shën Jeronimi lutej i gjunjëzuar në shpellën e Vithleemit.
Solli në mendjen e tij magët e lumtur që u vlerësuan të shohin Shpëtimtarin foshnjë, t’i falen Atij dhe t’i sjellin dhuratat e çmuara: ar, themiam dhe smirnë. Dhe ndërsa kishte këto në mendjen e tij, dëgjoi zërin e Krishtit, që i thoshte atij:
– Jeronim, ti çfarë dhurate do të më bësh sot?
– O Zot, u përgjigj Shenjti, çfarë kisha i lashë të gjitha për Ty. Shtëpi, ofiqe, pasuri.
Tani jam i varfër dhe kallogjer i përulur për Ty. Të gjithë veten time e kam sjellë tek Ti dhe nuk kam asgjë që nuk ta kam dhënë.
– Ke diçka, Jeronim! Dhe atë e dua!
– Çfarë është ajo, o Zot, Bir i Virgjëreshës?
– Mëkatet e tua, Jeronim!
– Mëkatet e mia? Dhe për çfarë i do ato, o Zot?
– Dua të t’i fal, Jeronim. Mos vono të m’i dhurosh.
Shën Jeronimi filloi të qajë nga mallëngjimi. Kuptoi akoma më thellë, se Krishti nuk erdhi të na gjykojë, por të na shpëtojë nga e keqja më e madhe që ekziston në botë: nga mëkati.
Mëkati është helm që helmon dhe e vdes njeriun. Mëkati na nxorri nga Parajsa.
Në qoftë se do të mungojë, toka do të ribëhet Parajsë dhe do të mbretërojë kudo paqja dhe dashuria.
Si do të zhduket mëkati?
Ekziston doktor? Ekziston ilaç?
Lavdi Zotit, ekziston dhe doktor dhe ilaç.
Doktor është Krishti, doktor i shpirtrave dhe i trupave tanë. Ilaç është Gjaku i Tij që derdhi në shpirtin tonë mëkati.
Shenjtorët dhe etërit e Kishës na udhëzojnë të marrim sa më rregullisht që të mundemi, Trupin dhe Gjakun e Çmuar të Zotit tonë Iisu Krisht.
Sepse kjo na jep ndjesë të mëkateve dhe jetë të përjetshme.
– Kungimi i Shenjtë ushqen shpirtin tonë, na bën njeridashës, dëbon larg nga ne demonët, zbukuron, pastron dhe ngroh shpirtin tonë.
Kungimi i Shenjtë fuqizon të sëmurët, na bën zemërgjerë, të durueshëm dhe të qetë.
Kungimi i Shenjtë na bën të fuqishëm dhe të vendosur në të mirën dhe në sakrificë për Krishtin.
Admirojmë të gjithë shenjtorët martirë që kishin fuqinë të sakrifikonin të gjitha për Krishtin.
Por më shumë admirojmë dhe lakmojmë urtësinë e tyre. Dhe gjykojmë: Si shkonin në vdekje dhe në tortura me gëzim duke psalur dhe duke lavdëruar Perëndinë sikur të shkonin në panair? Ku e gjenin këtë fuqi të pabesueshme? Këtë guxim të paparë?
Përgjigjja është: me Kungatën e Shenjtë.
Në atë morën Krishtin, mundësin e plotfuqishëm dhe kungoheshin të vyer.
Do pra ti të fitosh? Kungohu sa më rregullisht dhe të jesh sa më i vyer. Atëherë do të fitosh edhe ti. Dhe në qoftë se ke vështirësi, ngasje që të luftojnë, do të fitosh me armën e Kungatës së Shenjtë.
* * *
Kur të kungoheni të vyer?
Këtë na e thotë Ati ynë tek i cili rrëfehemi.
Por çfarë është rrëfimi?
Është misteri i filantropisë dhe i ndjesës.
Rrëfimi nuk është trillim i njerëzve. Atë e la Krishti në apostujt me fjalët e Tij: “Merrni Shpirt të Shenjtë. Cilido që t’ia falni fajet, u janë falur atyre; cilido që t’ia mbani, u janë mbajtur atyre”.
Autorizoi me fjalët e veta apostujt e Tij të falin mëkatet, atëherë kur e gjykojnë të arsyeshme në përputhje me rrëfimin.
Për këtë duhet të nxitojmë të rrëfehemi me dëshirë, përulësi, për të marrë ndjesën që jep Krishti.
Dhe të mos thotë asnjë brenda tij: Dhe çfarë lidhje kanë etërit shpirtërorë me Krishtin dhe apostujt?
Dhuratat e Perëndisë janë të paprapësueshme; u dhanë një herë përgjithmonë dhe ripërtërihen. Krishti i dha ato në apostujt, apostujt në pasuesit e tyre, në episkopët dhe priftërinjtë deri më sot.
Kështu kur ati shpirtëror fal, Krishti nga qielli shtrin dorën e Tij dhe pastron shpirtin nga çdo mëkat. Dhe për këtë çdo i krishterë duhet të dojë Atin e tij shpirtëror sa më shumë të mundë.
Thonë për mbretëreshën Theodhora, bashkëshorten e Justinianit të Madh, se donte shumë atin e saj shpirtëror, Shën Joaniqin, sa çdo herë që përmendej emri i tij i rridhnin lot nga sytë e saj. Kur e pyetën pse kishte kaq nostalgji, ajo iu përgjigj:
– Ati im trupor më solli në tokë, në këtë jetë, të mbushur me trishtim dhe vuajtje. Ndërsa ati im shpirtëror më ndihmon të ngjitem në qiell, në jetën e përjetshme e të pafund ku nuk ekziston trishtimi, dhimbja dhe vuajtja.
Në rrëfim duhet të nxitojmë me drithërirë, sepse fitim do të kemi ne.
Përgatiti Violeta Pistuli