Në datat 6-7 maj 2023, pas përjetimit të gëzimit ngjallësor të Pashkës, të rinjtë e Kryepiskopatës së Tiranës, me bekimin e Kryepiskopit Anastas, u nisën në një pelegrinazh shpirtëror në kisha dhe manastire orthodhokse të Malit të Zi. Grupi drejtohej nga përgjegjësi i rinisë orthodhokse, atë Grigor Pelushi.
Minutat dhe orët e udhëtimit kalonin shpejt nën shoqërinë e njëri-tjetrit, derisa në sfond u shfaq shkëlqimi i kishës së Shën Joan Vladimirit, në Tivar. Këtij shenjtori kaq të dashur për ne, që sjell pranë dy popujt, i kushtohet një kishë madhështore, ku kombinohet arkitektura dhe ikonografia bashkëkohore.
Pelegrinazhi vijoi drejt manastirit të Shën Nikollës në Prasviska, ku vihej re ikonostasi mjaft i vjetër, i punuar mjeshtërisht. Ndalesa e radhës ishte manastiri i Podmainit dhe më tej manastiri i Shën Petros së Cetinjes.
Pelegrinazhi vazhdoi më tej duke ruajtur thellësisht kujtime nga çdo vend që vizituam, si dhe priftërinjtë e murgjit, të cilët, me shumë thjeshtësi e dashamirësi, na mikpritën kudo ku shkuam.
Përjetime të rralla do mbeten veçanërisht nga bekimi që na u dha që të nderojmë lipsanet e shenjtorit lokal të Cetinjes, Shën Petros, në manastirin që mban emrin e tij, si dhe dorën e djathë të Shën Joan Pagëzorit, që ruhet po aty. Një pjesëz e kryqit të Krishtit qëndronte përkrah lipsaneve, për të na e bërë e njëherë më të prekshme e të gjallë të vërtetën e asaj që ne besojmë.
Vizituam në vazhdim dhe muzeun që gjendet në ambientet e manastirit, në të cilin ruhej dhe shfaqej më së miri historia e thurur bukur mes hartave dhe dorëshkrimeve të vjetra, lipsaneve, enëve të shenjta, stolive liturgjike edhe ikonave të vjetra. Koha kthehej pas e në detaje përcillej dashuria e historia orthodhokse ndër shekuj, duke u bërë për ne të rinjtë një histori frymëzimi për të ardhmen, për dashurinë që duhet të kemi për Kishën, besnikërinë e guximin në besim, por edhe përulësinë edhe pastërtinë në marrëdhëniet tona të përditshme.
Dita përfundoi në qetësinë e manastirit të Shën Vasilit të Ostrogut, ku të rinjtë nderuan lipsanet e shenjtorit dhe panë vendin ku ruhet varri i tij.
Të nesërmen morëm pjesë në Liturgjinë Hyjnore, ku të gjithë u bëmë bashkë në Kungatën e Shenjtë.
Një fotografi kujtim mbeti nga vizita në Katedralen Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Podgoricë, dhe më pas vizituan manastirin “Shën Simeon Dajbabski”, i cili shënoi mbylljen e këtij pelegrinazhi.
Xhefaldina Bedulla