EmailFacebookKontakt

Patriku Ekumenik vizitoi Tokën e Shenjtë

Patriku Ekumenik Vartholomeu I, udhëheqësi shpirtëror i 250 milionë të krishterëve orthodhoksë të botës, kreu vizitën e tij të parë zyrtare në Jerusalem dhe në Tokën e Shenjtë, 9-15 maj 1995. Ishte një vizitë e përshkuar nga mesazhi i paqes për këtë tokë sa të shenjtë aq edhe të martirizuar nga luftrat, si në takimin e parë me 500-1000 reporterët që e ndoqën nga afër, ashtu edhe në të gjitha etapat e parashikuara.

Kështu, duke dalë nga Kisha e Varrit të Shenjtë, Patriku Vartholomeu I tha se ai ishte lutur për paqe kudo, “por, veçanërisht këtu, sepse vetë mesazhi i Paqes është sjellë përpara se kudo këtu, në Tokën e Shenjtë”.

Gjatë vizitës së tij të gjatë në Tokën e Shenjtë, Patriku Vartholomeu I u shoqërua nga zyrtarë të Kishës Orthodhokse nga e gjithë bota. Tërëshenjtëria e Tij u takua në qytetin e Gazës me udhëheqësin e i OÇP-së Jaser Arafatin. Shkruhet se Arafati i ka kërkuar Patrikut të ndihmojë atë në kërkesat e Palestinës ndaj Izraelit, veçanërisht për përmbushjen e plotë të të gjitha rezolutave të Kombeve të Bashkuara lidhur me problemin palestinez. “Qëllimi kryesor i vizitës tek ju ishte t’ju tregojmë se ne ju përkrahim moralisht”, – tha Patriku. Gaza është shtëpia e rreth 3000 orthodhoksëve. Në Rripin e Gazës ndodhet një nga kishat më të vjetra orthodhokse të botës, e ndërtuar në vitin 410 pas Krishtit.

Patriku, gjatë vizitës së tij historike, u takua gjithashtu me udhëheqësit e Izraelit, duke përfshirë presidentin Weizman dhe kryeministrin Itzhak Rabin. Tërëshenjtëria e Tij i tha Presidentit Weizman, sipas një deklaratë të shpërndarë nga ndihmësit e Patrikut, se “Bekimet lindin kur respektohen marrëveshjet dhe lidhjet midis popujve”. Në mbledhjen e mëvonshme Patriku gjithashtu e nxiti kryeministrin Rabin të ecte përpara në bisedimet me autoritetet palestineze.

Në Izrael, në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, gjenden një numër i madh kristianësh, rreth 160.000, prej të cilëve rreth 50.000 janë orthodhoksë. Kristianët Orthodhoksë në Tokën e Shenjtë dhe Jordan janë nën juridiksionin e kishës së lashtë të Jerusalemit, e ngritur në vitin 451 në statusin e Patriarkatit të pavarur.