EmailFacebookKontakt

Patriku Ekumenik shkruan meditimet e “Udhës së Kryqit”

Në Pashkën Katolike

Patriku Ekumenik shkruan meditimet e “Udhës së Kryqit”

Në Pashkën Katolike sivjet ndërhyri një element mjaft i veçantë. Të premten e Kryqëzimit të Javës së Madhe, tekstet e “Udhës së Kryqit” u hartuan nga Patriku Ekumenik dhe Kryepiskop i Konstandinopojës, Tërëshenjtëria e Tij Vartholomeu I. Udha e Kryqit, që zhvillohet në “skenën” gjigande të Koloseut, ku u derdh në shekujt e parë shumë gjak martirësh të krishterë, është një lutje tipike e traditës së Kishës Katolike-Romane. Ndaj, ky gjest i Patrikut Ekumenik bëhet edhe më kuptimplotë: Primati i Kishës së Konstandinopojës që ka për mbrojtës Andrenë Apostull, i dhuron Ipeshkvit të Romës, ku u martirizua vëllai i Andresë, Petri, apostull, fjalët për meditim e lutje. Lindja e krishterë i bëri dhuratë Kishës së Perëndimit traditën e vet teologjike, liturgjike e shpirtërore, duke përshkuar të dyja bashkë, në mënyrë të përvuajtur udhën e Kryqit për të takuar të Ngjallurin.

Në tekstet e stacioneve të Kryqit Patriku Ekumenik përdor fjalët dhe simbolet e traditës Lindore, të shprehura me një gjuhë të pasur e prekëse, që u shoqërua nga përfytyrimi i ikonave bizantine.

Këto meditime të gërshetuara me tekste nga Shkrimi i Shenjtë, nga mendimi i Etërve të Kishës, e në mënyrë të veçantë, nga Liturgjia e Javës së Madhe, u bashkuan në këtë lutje me traditën e Perëndimit, duke u bërë një dëshmi e besimit në kremtimin e Mundimeve të Zotit tonë Jisu Krisht, në pritje të kthimit të tij përfundimtar.

Në kujtim të këtyre mundimeve zërat e Lindjes e të Perëndimit u bashkuan në një lutje të përbashkët:

O Zot, bëj që zemra tona prej guri të copëtohen përballë mundimeve të tua
e të bëhen zemra të ndjeshme prej mishi!

Bëj që Kryqi yt të zgjidhë paragjykimet tona!

Bëj që të mos shtiem më në short rrobat e tua, me rrezik që të grisim mantelin një copësh të Kishës sate.

Ty, o Atë,
në Krishtin, në Shpirtin Shenjtë,
çdo nderim e lavdi
të qoftë në shekuj të shekujve!