EmailFacebookKontakt

Patriku Ekumenik në Britani – Londër

Vizita e Patrikut Ekumenik Varthollomeu I në fillimet e dhjetorit në Britaninë e Madhe u karakterizua nga bisedime të rëndësishme midis Orthodhoksëve dhe Anglikanëve, vizita në monumente të rëndësishme të historisë anglikane, takim me mbretëreshën Elizabet në Pallatin Bakingham dhe arriti kulmin e saj me ligjëratën e mbajtur nga Patriku Ekumenik në Manastirin Anglikan të Westminsterit, në Londër. Pas ligjëratës së Patrikut Ekumenik në Manastirin e Westminsterit Kryepiskopi Anglikan, Xhorxhi i Kanterburit, lavdëroi “angazhimin e ndjeshëm të Patrikut Ekumenik në kauzën e bashkimit kristian” dhe midis të tjerash iu referua asaj që e quajti “metoda e Konstandinopojës” e mishëruar nga Patriku Varthollomeu: “rreptësi teologjike, angazhim ekologjik, kujdes për botën dhe krijesën e Perëndisë”. Ka shumë gjëra që mund të mësojnë Anglikanët prej saj, shtoi Kryepiskopi Xhorxh.

Bisedimet me Kishën Anglikane afirmuan frymën e shkëlqyer në të cilën zhvillohet dialogu midis të dy kishave, ndërkohë që, sigurisht, vazhdojnë problemet që trondisin jo vetëm dialogun, por edhe vetë Kishën Anglikane, siç është ai i hirotonisjes së grave. Në pjesën e dytë të vizitës së Patrikut, që filloi me Liturgjinë Hyjnore të kryer prej tij në Kishën Katedrale Orthodhokse të Shën Sofisë në Londër, mbizotëruan kontaktet me orthodhoksët e Britanisë, të cilët e pritën me ngrohtësi të veçantë.

Kryepiskopi Orthodhoks i Thjaterës (Britani), që shoqëronte Patrikun Ekumenik në të gjitha veprimtaritë, theksoi se vitet e fundit grigja e Kryepiskopatës është forcuar me besimtarë të origjinës angleze, që i bashkohen Kishës Orthodhokse. Për nder të Patrikut Ekumenik shtruan drekë edhe ambasadorët e Greqisë dhe Turqisë në Britani.