EmailFacebookKontakt

Patriku dhe Presidenti në një përurim

Nga bota e krishterë

RUSI

Patriku dhe Presidenti në një përurim

Gjatë një ceremonie në frymën e pajtimit kombëtar, Patriku Aleksi II dhe Presidenti Jelcin, morën pjesë së bashku në ceremoninë e përurimit të punimeve për rindërtimin e njërës prej kishave më të vjetra të Moskës.

Presidenti, duke përfituar nga rasti, rinovoi apelin për pajtim dhe mirëkuptim kombëtar, për të ndërtuar Rusinë e sotme. Pastaj, Patriku bëri bekimin e themeleve të Kishës së re të Shenjtorëve Boris dhe Gleb, në sheshin Arbat, në zemrën e Moskës së vjetër. “Rinovimi i këtij vendi të shenjtë për kombin, është dëshmi e epokës sonë”, shtoi Presidenti Jelcin, ndërsa Patriku theksoi, se “Borisi dhe Glebi refuzuan të përdorin forcën për të shpëtuar jetët e tyre”, duke kujtuar arsyen, për të cilën të dy princërit kievas të shek. XI u kanonizuan nga Kisha, duke u bërë kështu dy shenjtorët e parë rusë. Pastaj, Patriku nënvizoi se “në sytë e jobesimtarëve ata humbën, por në sytë e të krishterëve ata dolën fitimtarë dhe provuan drejtësinë e kauzës së tyre me anë të fuqisë të Shpirtit”.

Kisha e parë e Shën Borisit dhe Glebit u ndërtua fundin e shek. XV. Ajo u zëvendësua nga një kishë e re në mesin e shek. XVIII, më e madhe, e cila u shkatërrua në vitin 1931, gjatë njërës prej fushatave më të egra antifetare. Sot, ajo do të rindërtohet identike me kishën e vjetër.