Në përputhje me traditën e Patrikanës Ekumenike, u bë rinovimi i Sinodit të Shenjtë. Ai është i përbërë nga 12 episkopë, të cilët ndihmojnë Patrikun në administrim dhe veprimtarinë baritore. Gjysma e anëtarëve të Sinodit ndryshohet çdo 6 muaj. Por, që nga viti 1923, kjo ishte pezulluar, pasi numri i episkopëve rezidentë në Turqi nuk ishte i mjaftueshëm për të realizuar këtë rotacion.
Në 7 shtator të këtij viti, Patriku Ekumenik Vartholomeu I, deklaroi se dëshironte rivendosjen e kësaj tradite. Kështu, 6 episkopë, 3 më të vjetrit dhe 3 më të rinjtë; Joakimi i Kalcedonisë, Krisostomi i Efesit, Jeromi i Rodopolis, Athanasi i Heliopolis, Jermani i Tranuopolis dhe Melitoni i Filadelfisë, u zëvendësuan në Sinod nga Jermani i Theodorupolis, Cirili i Seleukisë, Joakimi i Laodikisë, Dhimitri i Sebastës, Theokliti i Metras dhe Irineu i Miriatonit.
Megjithatë, Mitropolitët e mëparshëm ruajnë përsëri drejtimin e komisioneve sinodale, që kishin pasur deri më tani. Ky rinovim iu përgjigj vullnetit për t’i dhënë një zhvillim më të madh kolegjialitetit, duke bërë pjesëmarrës në veprimtarinë e Sinodit të Shenjtë një numër më të madh episkopësh, megjithëse kjo përfshin për momentin vetëm ata që e kanë rezidencën në Turqi.
Deri në fillim të shekullit XX, Sinodi ishte i përbërë nga mitropolitë të të gjitha dioqezave të Patrikanës në botë, gjë që mund të rivendoset në të ardhmen, në kuadrin e hyrjes së Turqisë në Bashkimin Evropian.