EmailFacebookKontakt

Patat e egra

Joana Vreto – Patat e egra (Tregim)

Ishte një ditë e lagësht dhe kallamishtet thyheshin pa zhurmë, nën çizmet e dy njerëzve, që ecnin të heshtur buzë kënetës. Ai, që ecte i pari dhe plot siguri, dukej më i ri. Pas i shkonte, me një pamje të përvuajtur, si çizmet që kishte veshur, një plak, i cili nuk mbante çifte me vete.

Të dy ecnin pak të përkulur, sepse degët e shelgjeve, që vareshin mbi ta, ua vështirësonin rrugën. Dielli sikur luante atë ditë me plakun. Kur dilte pak nga retë e i ngrohte këmbët, gjysëm të lagura, ai e ndiente, se Perëndisë i vinte keq për të. Por, kur përsëri, “tekanjozi”, fshihej në prehërin e reve të egërsuara, plaku i varfër mendonte, se Zoti ndoshta, po e ndëshkonte për ndonjë mëkat të vjetër.

Sikur t’ia kishte lexuar mendimet, djaloshi, që rrezatonte një bukuri e hijeshi rinore, ia ndërpreu meditimin duke i thënë: – Nuk e kuptoj, përse djalli nuk ju lë të qetë juve që jeni besimtarë. Mua nuk më shqetëson. Zëri i tij, kishte një ton tallës, të cilin nuk përpiqej aspak ta fshihte.

Plaku e kuptoi, por, megjithatë, nuk iu përgjigj. Atë ditë, si për çudi, patat e egra nuk po dukeshin në kënetë. Të krijohej përshtypja, se ata të dy kishin dalë për të luftuar me njëri-tjetrin. I riu e humbi dëshirën për të gjuajtur. Heshtja e plakut po e nervozonte pa masë. Ku e gjente këtë qetësi ky plak i mallkuar?!

Kallamishtet e mbushura me mushkonja u tundën. Një kor i gjatë krahësh, u dëgjua dhe më pas pata të egra fluturuan drejt qiellit. Këto, e shkundën nga mendimet dhe ai me një pasion të çmendur, që rritej nga e shtëna në të shtënë, kaloi në botën e sfiduese të gjuetisë. Këtu ai e ndiente veten të fortë. Ishte vetëm për vetëm me shpendët e pambrojtura. Kjo ishte jeta dhe jo ajo, që mendonte ëndërrimtari plak. Po ku mund ta kuptonte ai, që kishte humbur lirinë ditën, duke hyrë nën skllavërinë e Perëndisë së tij.

Jo larg, qëndronte plaku, i cili dukej sikur lutej për patat… Ah, sikur të shpëtojë ajo që fluturon atje tej, mbi atë shelg. Eshtë kaq e re dhe e bukur. Ndoshta sot është fluturimi i saj i parë. Ja, edhe pendët i ka ndryshe. Ky pasanik i përkëdhelur vazhdon të shtjerë pa mëshirë. Dhe vret për zbavitje dhe kënaqësi. Ai mendon se sot është zot i jetës së tyre. Ndofta, gjuetia do t’i dukej më interesante, po të kishte njerëz në vend të patave…

Më në fund të shtënat pushuan.

– Hej, plak, shko të mbledhësh patat. Dhe shiko, në fillim të mbledhësh ato të plagosurat, se mund të na ikin. Ato që kanë ngordhur nuk kanë si të na shpëtojnë, – dhe një e qeshur e ligë shpërtheu prej buzëve të tij.

Plaku, i bindur, shkoi të zbatonte urdhërin e padronit të tij. Tek nxitonte me hapa të lodhur pa dy pata të plagosura, që përpëliteshin dhe donin t’i shpëtonin, por ishin aq të dobëta sa ai arriti ti kapte me gjithë ngathtësinë e tij.

Por, një tjetër, që ishte fshehur kushedi se ku, arriti t’i shpëtojë dhe duke rrahur flatrat fort, u ngrit fluturimthi. Ishte ajo, pata e re, për të cilën ishte lutur plaku, dhe atij diçka ia ngrohu zemrën, më shumë se dielli i korrikut. Gëzimi i mbushi gjithë qenien.

Ky gëzim nuk mund ta ndriçonte fytyrën e tij të rrudhur. E megjithatë, pasaniku i ri, vuri re diçka, kur plaku po vinte drejt tij duke mbajtur në dorë patat e ngordhura.

– C’është gjithë ky gëzim, o plak! Ty, gjithmonë të trishton gjuetia, – e pyeti duke u djegur prej kureshtjes.

– Kjo është e vërtetë zotëri, por sot Perëndia më mësoi diçka të re.

– “Eshtë me të vërtetë i çmendur”, – mendoi djali me vete ndërsa tha: – E çfarë të mësoi?

– Ju më pyetët më parë, së, përse ne na tundon i keqi, ndërsa juve jo. Ja cila është arsyeja. Ne, jemi si patat e plagosura, që mund t’i shpëtojmë gjuetarit, domethënë vdekjes, prandaj ai rend pas nesh për të na ndaluar fluturimin. Kurseju, jeni për të si patat e ngordhura, të cilat nuk mund të shpëtojnë. Kjo është arsyeja, që ne jemi në tundim të vazhdueshëm. E megjithëse të plagosura nga mëkati, me mundim ngrihemi drejt qiellit kur forcohemi dhe jemi të pakapshëm, sepse shpirti ynë është gjallë. Ndërsa shpirti juaj, ka vdekur në ditën, që harroi fluturimin.

Zëri i plakut mbushi pyllin, ndërsa djaloshi vazhdonte rrugën indiferent. A mund të ngjallen patat e vrara?

Por plaku fliste dhe lutej për patat e vrara dhe për njerëzit që ngjajnë me to.