EmailFacebookKontakt

Pasuria më e çmuar

Dhurata më e madhe

Shkrimi i Shenjtë është i vogël dhe nga pamja e jashtme e tij, nuk është i stolisur. Por pjesa e brendshme e tij është plot me flori dhe me gurë të çmuar. Me anën e këtij libri njeriu fiton pasuri që nuk mund t’ia rrëmbejë askush, fitojmë përjetësinë dhe gjithashtu me anën e tij mësojmë të jetojmë mirë dhe të vdesim mirë.

Presidenti amerikan Abraham Linkoln thoshte: “Shkrimi i Shenjtë është dhurata më e madhe që i bëri Perëndia njeriut”.

Librat e Perëndisë

Dy libra të mëdhenj na flasin për Perëndinë: Nga njëra anë bota dhe nga ana tjetër Bibla. Brenda në këta dy libra njeriu takon Perëndinë dhe bisedon me Të. Këta dy libra të Perëndisë studionte i etur një shkrimtar i kohëve të fundit, prandaj shkruante: Në qoftë se nuk mund ta pushtoj në duart e mia gjithë malin mundem ta prek, dhe në qoftë se nuk thith gjithë lumin, mundem të marr prej tij, me anën e pëllëmbës pak pika uji dhe të freskoj gjuhën time.

Lexues, studio dhe ti këta dy libra dhe fresko me ta buzët e shpirtit tënd të etura për Perëndinjohje!

Një mësim i mirë

Një njeri i moshuar ishte i sëmurë rëndë. Mjeku i tij ishte mjaft i aftë dhe kristian i mirë. Dhe i thoshte: Mos harro se jemi edhe pleq tani, unë do të bëj ç’të mundem, por edhe ti të rrëfehesh, të rregullohesh me Zotin e gjithëpushtetshëm. Por i sëmuri gjithnjë gjente pretekste dhe e shtynte pastrimin e tij shpirtëror dhe thoshte:

– Mos ki merak, o njeri, në kreshmën e Pashkës së madhe do të shkoj të rrëfehem. Le të bëhem përpara mirë!

Mjeku duke shikuar dobësinë e tij dhe duke dashur që ta bëjë të mendohet seriozisht, i bëri këtë gjë:

Në një vizitë të tij i solli një shishe me ilaçe, dhe e la mbi tryezë të të sëmurit duke i thënë se kjo është për ty.

E pyet i sëmuri:

– Kur dhe si do ta marr?

– Pas dy muajsh dhe do të shohim se si.

– O mjek, nuk e ndjej veten mirë dhe a do të rroj pas dy muajsh? A do të bëhem mirë pa marrë diçka?

– Me të vërtetë ke të drejtë, atëherë të shohim pas një muaji.

– Mirë, o mjek, pse jo qysh sot, me shëndetin tim luan?

– Jo, i thotë atëherë mjeku, nuk loz me shëndetin tënd, thjesht desha të të ndihmoj të mendohesh, se nuk bën mirë të lozësh ti me shpirtin tënd që është më i çmuar nga shëndeti yt.

– I sëmuri e kuptoi mësuesin e mirë.

Mirëbërësit tanë të mëdhenj

Peshktarë të Galilesë ishin, dhe i thirri Krishti dhe i bëri Apostuj. U ndriçuan nga Shpirti i Shenjtë dhe, ndërsa ishin të paditur predikuan me fuqi, me dituri, me gjuhë të ndryshme dhe bënë çudira të shumta. Kudo shpërndanë errësirën e paganizmit dhe përhapën dritën e Krishtit. Apostujt janë mirëbërësit tanë më të mëdhenj. Na falën gjënë më të çmuar në botë, besimin te Krishti. Por duan edhe nga ne që të bëhemi apostuj të vegjël dhe t’u transmetojmë dritën e Krishtit edhe të tjerëve që jetojnë në errësirën e mashtrimit dhe të mëkatit.

Cilës kategori i përket

Thoshte i dituri Paskal se ka tre lloj njerëzish: Të parët që e gjetën Perëndinë dhe i shërbejnë. Të dytët, që përpiqen ta gjejnë, por nuk mundin. Të tretët, që jetojnë pa e kërkuar, si pasojë nuk do ta gjejnë.

– Të parët janë të logjikshëm dhe të lumtur. – Të dytët janë të logjikshëm, por fatkeqë. – Të tretët janë fatkeqë, por edhe të pamend. Besimi kristian dhe zbatimi i përpiktë i porosive të Krishtit do të falin shpëtimin e shpirtit tënd dhe lumturinë reale.

Përgatiti: Petro Xhuveli