EmailFacebookKontakt

Pashka hesht armët

Durrës

Pashka hesht armët

Sa bukuri, kur njerëzit mblidhen në një faltore për t’iu lutur Perëndisë për jetën dhe të ardhmen e tyre, për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, për paqe për qetësi e lumturi.

Kështu ndodhi të dielën, ditën e madhe të Dafinës në Kishën e Shën Gjergjit të Durrësit. Ishin të shumtë besimtarët që mbushën Kishën dhe oborrin e saj, ishin të shumta lutjet, por, më e madhe ishte shpresa dhe ndjenja e optimizmit që rrënjosej në shpirtin e njerëzve të mirë. Ato largoheshin nga Kisha me gjethe dafine në duar, duke puthur ikonat dhe duke bërë Kryqin e Shenjtë, atë Kryq që është simboli i jetës së drejtë në tokë.

Kështu e filloi Durrësi Javën e Madhe dhe çdo ditë Kisha e bukur e Shën Gjergjit ishte plot me njerëz, nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 7 të darkës. Ndryshe ndodhi të Enjten në darkë; shumë gra edhe pse në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme, qëndruan në Kishë tërë natën. Ato e pritën të Premten e zezë aty në Kishë, bashkë me ikonat, bashkë me Epitafin. Kur Epitafi doli në qytet ishin mijëra e mijëra besimtarë që e shoqëruan atë, në heshtje dhe qetësi të plotë, pamvarësisht nga besimet e ndryshme fetare. Për çudi, asaj mbasditeje nuk u dëgjua asnjë e shtënë pushke.

Po kështu, ndodhi dhe të Dielën në mëngjes, kur u tha lajmi i gëzuar, në pllajën e bukur të kodrës së vilës të mbushur me pisha për ballë kishës. Pas thënies së “Krishti u Ngjall” në disa gjuhë, besimtarët, që kishin mbushur plot e përplot rrugën dhe kodrën e pyllëzuar, dëgjuan me shumë vëmendje përshëndetjen e Kryepiskopit tonë, Prof. Dr. Anastasit, që ndër të tjera në këto kushte të krijuara, bënte thirrje për paqe dhe qetësi, për falje, tolerancë dhe besim për një të ardhme më të mirë.

Pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, që u drejtua nga at Jovan Koroveshi, në sallën e Kishës u bë pritja tradicionale e autoriteteve te vendit, të Komuniteteve të tjera fetare, të partive e shoqatave të ndryshme, e të tjerë, ku tema kryesor e bisedimeve ishte që Durrësi ruan traditën e vjetër të bashkëekzistencës paqësore dhe shumë miqësore, ku çdo festë fetare e një Komuniteti kthehet në festë popullore për të gjithë qytetin.

Lluka Tutra