Nga At Luka Veroni
Sot është dita e Ngjalljes! Sot është dita e Shpëtimit! Sot është dita e Shpresës! Sot është dita për fillime të reja! Sepse lajmi i Ngjalljes së lavdishme të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht na ofron secilit prej nesh një rast për një fillim të ri në jetën tonë!
Sa prej nesh kemi nevojë të fillojmë sërish në jetën tonë? Sa prej nesh kemi bërë gabime, mëkate, jemi pushtuar nga veset tona të këqija dhe tani dëshirojmë një ndryshim dhe përtëritje të jetës? Përmes Ngjalljes së Krishtit ne kemi një shans të tillë. Festimi i Pashkës është një festim për të gjithë njerëzit që të marrin hirin e Perëndisë, hir të cilin Ai do sinqerisht t’ua dhurojë gjithë njerëzve.
Siç predikoi Shën Joan Gojarti, në predikimin e tij të mirënjohur të Pashkës, “Zoti i zemërdhembshur e pret të fundin si edhe të parin, dhe e çlodh atë të orës së njëmbëdhjetë, si atë që punoi që prej orës së parë. Dhe të fundin e mëshiron dhe të parin e shëron… Hyni, pra, të gjithë në gazin e Zotit tonë… Të përkorë dhe të ngathët kremtojeni këtë ditë; sa kreshmuat dhe sa nuk kreshmuat dëfreni sot. Tryeza është plot, hani që të gjithë… Të gjithë gëzojeni dasmën e besës; të gjithë gëzojeni pasurinë e mirësisë. Asnjë le të mos vajtojë për varfërinë e tij, se u shfaq Mbretëria e përbashkët e Perëndisë. Asnjë le të mos qajë për faje se ndjesa lindi nga varri. Asnjë le të mos ketë frikë nga vdekja, se na çliroi vdekja e Shpëtimtarit”.
Le të shohim vetëm dy nga shembujt e panumërt, të njerëzve që takuan Zotin e Ngjallur, i cili ndryshoi jetën e tyre. Mendoni për një çast Shën Petron, udhëheqësin e apostujve. Ai shpalli me guxim se nuk do mohonte kurrë Krishtin, edhe nëse të gjithë apostujt e tjerë do ta braktisnin Atë. Gjithashtu, ai pohoi me forcë se ishte gati të vdiste për Krishtin. Dhe megjithatë, natën e tradhtimit të Jisuit, Petro mohoi tri herë se e njihte Krishtin. Petro mohoi Zotin, të cilin e kishte dashur dhe i kishte shkuar nga pas për tre vjet. Pas një tradhtie të tillë, Petro mund të dëshpërohej. Ai mund të kishte thënë se nuk kishte shpresë per t’u falur për mëkatin që kishte bërë.
Ngjallja e Krishtit, megjithatë ndodhi dhe çdo gjë ndryshoi. Ngjallja transformoi Petron nga një tradhëtar të ngrysur, në një besimtar të përtërirë. Ajo e transformoi atë nga një njeri të dëshpërimit, në një njeri me shpresë të re. Një njeri që mund të hidhte prapa jetën e tij të vjetër dhe të fillojë një jetë të re më Zotin e Ngjallur. Ky njeri që mohoi Krishtin, do të bëhej një shtyllë dhe martir i Kishës së parë.
Po Apostulli i shenjtë Pavli? Ai ishte një njeri që jo vetëm mohoi Krishtin, por edhe persekutoi ata të cilët quanin veten pasues të Jisuit. Ai mori pjesë në vrasjen e martirit të parë, Shën Stefanit. Dhe, megjithatë, kur takoi Zotin e Ngjallur në rrugën për në Damask, jeta e tij ndryshoi. Qëllimi i jetës së tij u riorientua. Zemra e tij u mbush me shpresë të re.
Ky është një nga mesazhet më të fuqishme të Pashkës! Krishti u ngjall dhe çdo gjë është e re! Nuk ka rëndësi se çfarë kemi bërë në jetën tonë, nuk ka rëndësi se sa herë e kemi mohuar ose hedhur poshtë Krishtin nëpërmjet fjalëve e veprimeve tona, nuk ka rëndësi se sa herë kemi rënë në mëkat, prapë ne mund të shpresojmë te Krishti. Nuk duhet të dëshpërohemi, sepse Pashka na kujton ne për mundësinë e re. Mesazh i Zotit tonë të Ngjallur na tregon se asnjë situatë ose problem në jetë nuk duhet të na çojë në frikë ose dëshpërim!
Më kujtohet kur mora pjesë në varrimin e një vajze 5-vjeçare, disa vite më parë. Shumë njerëz nuk mund të kuptonin se përse një Perëndi e dashurisë lejoi një vajzë të vogël të vdesë. Ata pyesnin, “Përse vdes një vajzë 5-vjeçare para se të gëzojë një mundësi për të jetuar vërtetë?” Ngjallja e Krishtit i jep një kuptim të ri kësaj pyetjeje, duke sjellë njëkohësisht ngushëllim e shpresë. Nëpërmjet vdekjes dhe Ngjalljes së Krishtit, ne sigurohemi se vdekja nuk ka më fuqi të përhershme mbi ne.
Shën Joan Gojarti e përmblodhi këtë në mënyrën më të bukur “Asnjë le të mos ketë frikë nga vdekja, se na çliroi vdekja e Shpëtimtarit. Ku është gjembi yt, o vdekje? Ku është mburrja jote, o Ferr? U ngjall Krishti, dhe ti u hodhe poshtë. U ngjall Krishti, dhe u përmbysën demonët. U ngjall Krishti, dhe jeta qytetërohet. U ngjall Krishti dhe gëzohen Engjëjt. U ngjall Krishti dhe asnjë i vdekur nuk mbeti në varr. Se pas Krishtit u ngjallën të gjithë të vdekurit”.
Ne nuk duhet të ndihemi kurrë të pashpresë, sepse ne kemi një Perëndi i Cili kujdeset për ne, një Perëndi i Cili na do. Ne kemi një Perëndi që jo vetëm vdiq mbi Kryq për ne, por shkoi poshtë në Ferr që të thyejë vargonjtë e vdekjes dhe të mposhtë Satananë dhe të gjithë veprat e tij dhe të shkatërrojë fuqinë e mëkatit dhe të keqes!
Megjithatë, me qëllim që fuqia e Ngjalljes të ndikojë vërtet mbi ne, së pari ne duhet t’i përgjigjemi Jisu Krishtit dhe Kishës së Tij të Shenjtë! Ne duhet të pranojmë atë që Jisui ka bërë për ne dhe të angazhojmë jetën tonë plotësisht te Ai. Ne duhet të pranojmë Atë dhe rrugët e Tij dhe të jetojmë një jetë me qendër Krishtin. Siç shkruante Shën Joani i Shkallës “Pasues i vërtetë i Krishtit është ai që imiton Krishtin në mendim, fjalë dhe vepra”. Nëse bëjmë këtë, atëhere ne do të përjetojmë gëzimin e vërtetë të Ngjalljes. Ne do të përjetojmë një fillim të ri dhe një jetë të re. Do të përjetojmë vet shpresën e vërtetë të Ngjalljes. Do të përjetojmë paqen e Perëndisë, e cila qëndron mbi çdo kuptim.
Le të përjetojmë të gjithë një përtëritje të tillë gjatë festimit të Pashkës këtë vit! Krishti u ngjall! Vërtetë u ngjall!