Me emocion të thellë, nderim të veçantë dhe mirënjohje të pafund shkruaj këto radhë për këtë vëllim të çmuar që përmbledh krijimet poetike të të paharruarit Episkopit të Apollonisë, Imzot Kozma Qirjo, një prej pishtarëve të ndritur të Kishës sonë martire. Të mbash në duar këtë libër është si të prekësh një relikte të shenjtë, jo prej ari apo argjendi, por të thurur me fjalë që lindën në vuajtje, u ushqyen me besim dhe u ruajtën me sakrificë, duke dëshmuar për triumfin e Krishtit mbi errësirën më të thellë që mbuloi vendin tonë për gati gjysmë shekulli.
I. Kujtesa më kthen pas në kohë, kur, me zemrën plot shpresë dhe shpirtin të etur për të vërtetën e Ungjillit që e kisha zbuluar fshehurazi, ndërmora udhëtimin drejt fshatit Bestrovë të Vlorës për t’u pagëzuar nga duart e bekuara të atë Kozmait, këtij bariu heroik. Djali i tij, Ilia, ruante jashtë nga çdo rrezik i mundshëm. Petro Zhei, nuni im shpirtëror, qëndronte pranë nesh si dëshmitar i këtij misteri të shenjtë që më bashkoi përgjithmonë me Krishtin dhe me Kishën e Tij të fshehtë.
Atë Kozmai nuk ishte thjesht një prift; ai ishte një dritë në errësirën e gjatë të persekutimit ateist, një mishërim i gjallë i Kishës që refuzoi të vdiste. Ndërsa regjimi kishte shkatërruar kishat, kishte rrëzuar kryqet dhe kishte burgosur apo ekzekutuar shumë klerikë dhe laikë, ai e mbante gjallë flakën e besimit në zemrat e qindra besimtarëve. Me guximin e apostujve, ai udhëtonte fshat më fshat, shtëpi më shtëpi, shpesh në këmbë e në kushte tejet të vështira, duke bartur Kungimin e Shenjtë në një kuti të vogël, duke pagëzuar fshehurazi fëmijë në çezmat e fshatrave apo në bodrumet e shtëpive, duke bekuar martesa dhe duke ngushëlluar të sëmurët e të vdekurit me fjalën e Zotit. Shtëpia e tij në Bestrovë ishte kthyer në katedrale: në katin e parë kryej fshehurazi Liturgjia Hyjnore, ndërsa në bodrum kryheshin pagëzimet, duke shndërruar atë hapësirë të thjeshtë në një Jordan të ri për qindra shpirtra të etur. Ai ishte prova e gjallë se Kisha nuk janë muret, por bashkësia e besimtarëve të mbledhur në emër të Krishtit.
Imzot Kozmai na mëson se besimi i vërtetë nuk është thjesht një ndjenjë apo një ideologji, por një veprim konkret dashurie, një dëshmi (martiria) e përditshme. Ai pagëzoi rreth 3,000 shpirtra gjatë viteve të persekutimit, duke rrezikuar jetën dhe lirinë e tij për çdonjërin prej tyre. Ishte bariu i mirë që nuk la asnjë dele të humbiste, por shkoi ta kërkonte në shkretëtirën e ateizmit. Fara që ai mbolli me lot dhe mund nën tokë, sot, me hirin e Perëndisë, është rritur dhe ka lulëzuar në liri. Kisha jonë e bekuar, e ringjallur nga hiri, qëndron mbi themelin e gjakut dhe sakrificave të shenjtorëve tanë bashkëkohorë si Imzot Kozmai. Ishte një bekim i veçantë dhe një moment tejet simbolik kur, vite më vonë, unë, i pagëzuar prej tij, isha pjesë e Sinodit të Shenjtë dhe bashkëcelebrues në ditën e dorëzimit së tij si Episkop i Apollonisë.
II. Përshkrimi i shkurtër i mësipërm për Imzot Kozmain është i nevojshëm, sepse ky libër nuk mund të kuptohet pa njohur jetën martirike të autorit. Poezitë që gjenden në këtë libër janë dëshmi e gjallë e shpirtit të tij të pasur dhe e besimit të patundur; ato janë fryt i drejtpërdrejtë i përvojës së tij baritore në kushtet e një përndjekjeje të pamëshirshme. Nevoja për të folur në vargje vjen nga nevoja për të shprehur diçka që s’mund të shprehet me mënyrën e zakonshme të të shprehurit. Rreth një e treta e Biblës Hebraike është në vargje dhe i tërë Shkrimi i Shenjtë është i mbushur plot me figura poetike, për të mundësuar shprehjen e asaj që nuk shprehet dot. “Në fakt shkruan Shën Dionis Aeropagjiti Shkrimi i Shenjtë i ka përdorur format e shenjta poetike për të paraqitur frymërat pa forma”.
Në pjesën e parë, “Poema e Jetës”, Imzot Kozmai nuk bën thjesht një përshtatje poetike të Dhiatës së Vjetër. Në një kohë kur Bibla ishte libër i ndaluar dhe zotërimi i saj dënohej rëndë, kjo poemë shërbente si një Ungjill i folur dhe i kënduar. Ai, me mjeshtërinë e poetëve të Labërisë, një traditë që e trashëgoi nga të parët dhe e zotëronte me finesë, thuri një rrëfim epik që mbante gjallë kujtesën e shenjtë të popullit të zgjedhur. Duke filluar nga Krijimi i botës, rënia e Adamit, ardhja e Noesë, thirrja e Abrahamit e deri te dalja nga Egjipti nën udhëheqjen e Moisiut, çdo varg është një lutje, çdo strofë një himn lavdërimi për Krijuesin dhe një mënyrë për të transmetuar historinë e shpëtimit te brezat që rrezikonin të rriteshin pa e njohur atë. Kjo poemë ishte katekizmi i tij për grigjën e fshehtë. Pjesa e dytë, “Shtegtim drejt dritës”, na zbulon thellësinë e përvojës së tij mistike dhe baritore. Këtu gjejmë thirrjet e një shpirti që e ka njohur Krishtin jo vetëm nëpërmjet shkrimeve, por edhe nëpërmjet vuajtjes, rrezikut dhe sakrificës së përditshme. Ai na fton të ndjekim shembullin e shenjtorëve dhe të dëshmorëve, të forcohemi me lutje dhe agjërim, të mbetemi besnikë ndaj Zotit edhe kur bota na kthen shpinën. Këto poezi nuk u shkruan në qetësinë e një manastiri apo në rehatinë e një zyre kishtare. Ato lindën në fshehtësinë e natës, mbi një fletore të vjetër e të zverdhur, nën kërcënimin e përhershëm të burgut dhe vdekjes, nga një zemër që nuk pranoi kurrë të heshtë për të vërtetën.
Ajo fletore, e mbushur me fletë të shkëputura, e ruajtur me kujdes për dekada të tëra, është sot një dëshmi materiale e qëndresës shpirtërore, ashtu siç fshiheshin edhe Ungjijtë dhe librat e lutjeve në ato kohë të errëta. Për këtë arsye, puna e atë Spiro Bulikës dhe Andi Rembecit është e rëndësishme, pasi ata, me durim e përkushtim, kanë sistemuar, komentuar dhe përgatitur për botim këtë trashëgimi të paçmuar, duke ndihmuar për të kuptuar më mirë thellësinë biblike dhe shpirtërore të këtyre vargjeve.
III. Duke lexuar këto poezi, ju ftoj të dëgjoni jo vetëm zërin e një poeti të talentuar, por edhe zërin e një dëshmori të gjallë të besimit, që edhe sot, nga qielli, na thërret: “Eja pas meje në rrugën e kryqit, se vetëm aty gjendet ngadhënjimi i vërtetë!” Lutja ime është që ky libër të jetë një burim i pashtershëm frymëzimi, veçanërisht për brezat e rinj, që të kuptojnë se liria e besimit që gëzojnë sot është paguar shtrenjtë. Në çdo varg të këtyre poezive pulson zemra e një Kishe që nuk u dorëzua kurrë, e një populli që ruajti besimin edhe kur çdo gjë dukej e humbur. Le të jenë këto fjalë të Imzot Kozmait një kujtesë e përjetshme e triumfit të dritës mbi errësirën, e dashurisë mbi urrejtjen, e besimit mbi dyshimin dhe e Ngjalljes mbi vdekjen!