Më 7 korrik u zhvillua Mbrëmësorja e Madhe dhe Bekimi i Pesë Bukëve në nderim të Shën Prokopit, Mbrojtësit të Tiranës. Liturgjia Hyjnore panegjirike u krye më 8 korrik 2025 nga Kryepiskopi Joan, në bashkëmeshim me Mitropolitin Nathanail, Episkopin Anastas dhe klerikë të Kryepiskopatës së Hirshme, në praninë e shumë besimtarëve.
Gjatë fjalës që Kryepiskopi Joan mbajti në këtë të kremte, ndër të tjera shprehu mirënjohjen e tij ndaj Perëndisë, për këtë kishë që kemi në nderim të Shën Prokopit, si edhe ndaj Kryepiskopit tonë të lumur Anastas, për përpjekjen që bëri për ngritjen e saj.
“Kisha do të jetë një bekim për të gjithë ne, sepse shën Prokopi është mbrojtës i qytetit të Tiranës dhe lutemi të kemi bekimin e tij. Nëse do ta kujtojmë atë çdo ditë, duke u lutur me zemër të pastër, çdo lutje do të dëgjohet, pasi shenjtori është mjaft mrekullibërës” – inkurajoi Fortlumturia e Tij.