EmailFacebookKontakt

Panairi i Shën e Premtes dhe vizita e Kryepiskopit Joan në Kavajë

Në një atmosferë të ngrohtë shpirtërore dhe mikpritjeje të veçantë, komuniteti orthodhoks i Kavajës priti më 26 korrik 2025, Fortlumturinë e Tij, imzot Joanin.

Liturgjia Hyjnore në Kishën e Shën e Premtes, në fshatin Çetë

Dita nisi me kremtimin e Liturgjisë Hyjnore në kishën e Shën e Premtes në fshatin Çetë, në nder të Dëshmores së Madhe, Shën e Premte. Besimtarë nga zona dhe më gjerë u mblodhën për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rrallë, ku Fortlumturia drejtoi shërbesën së bashku me klerikë të zonës. Në predikimin e Tij të thellë shpirtëror, ndër të tjera, Kryepiskopi theksoi: “Shën e Premtja nuk e dëshmoi vetëm me fjalë dashurinë për Krishtin, por me jetën dhe gjakun e saj. … Ajo na fton të mos kemi frikë të dëshmojmë Krishtin në jetën tonë të përditshme – me pastërti, me dashuri dhe me qëndrueshmëri në të vërtetën e Ungjillit”. Në përfundim të Liturgjisë, Ikonom Stavrofor Atë Petro Thanasi mbajti një fjalë përshëndetëse, duke falënderuar Fortlumturinë për praninë dhe kujdesin e tij baritor.

Vizita në kishën e Shën Nikollës, në Kavajë

Pas Liturgjisë, Fortlumturia vizitoi kishën e Shën Nikollës në qytetin e Kavajës. Në ambientet e saj u zhvillua një takim i përzemërt me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z. Fisnik Qosja, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit të shëndetshëm midis Kishës dhe autoriteteve vendore në shërbim të komunitetit.

Vizita në Muzeun Etnografik

Në vazhdim, Kryepiskopi Joan, i shoqëruar nga z. Qosja dhe përfaqësues të kishës vendore, vizitoi Muzeun Etnografik të Kavajës, ku u njoh nga afër me trashëgiminë historike dhe kulturore të kësaj treve. Ai vlerësoi ruajtjen e identitetit kulturor si një urë që lidh brezat dhe forcon kujtesën shpirtërore të popullit.

Drekë nderi në prani të komunitetit

Në përmbyllje të vizitës, u organizua një drekë nderi në ambient familjar dhe miqësor, ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, klerikë, intelektualë, biznesmenë dhe besimtarë të thjeshtë. Në këtë tryezë të përbashkët u përcollën falënderime dhe mesazhe bashkimi, mirënjohjeje dhe frymëzimi për të ardhmen.

Kjo vizitë e Fortlumturisë së Tij, përbën një ngjarje të rëndësishme për jetën shpirtërore të qytetit dhe rrethinës së Kavajës, si dëshmi e kujdesit baritor dhe e forcimit të lidhjes së gjallë midis bariut dhe grigjës së tij.

Harallamb Tereziu, Pedagog pranë Akademisë Teologjike në Shën Vlash