EmailFacebookKontakt

Pajtimi – Dhuratë e Perëndisë

“Pajtimi – Dhuratë e Perëndisë”
– Takim i përfaqësuesve të Kishave Orthodhokse Evropiane në Kryeqytetin e Kulturës për Vitin 1997 – Selanik. –

Me iniciativën e Patrikanës Ekumenike dhe të mikpritur prej Mitropolisë së Neapolis, përfaqësues të Kishave Orthodhokse të të gjithë Europës u mblodhën nga dt. 11-15 Maj në një takim pan në Kryeqytetin e Kulturës për vitin 1997 – Selanik.

Qëllimi kryesor i këtij takimi, mbajtur në vigjilje të Asamblesë së 2-të Ekumenike Europiane (23-29 qershor) dhe Asamblesë së 11-të të Konferencës së Kishave Europiane – KKE (30-4 korrik), që do të zhvillohen në Graz, Austri, ishte krijimi i një Zëri të përbashkët Orthodhoks, për t’u shprehur më pas fuqishëm dhe dinjitoz në arenën pankrishtere të Asamblesë së KKE.

Takimi që do të pasojë në Austri, me temë: “Pajtimi – Dhuratë e Perëndisë dhe Burim i Jetës së Re”, do të shtjellojë çështjen e Pajtimit në të gjitha drejtimet; Pajtimin e njeriut me Perëndinë; Pajtimin dhe mirëkuptimin midis kishave të krishtera; Pajtimin midis njerëzve; Pajtimin midis kombeve në një Europë të Bashkuar, të Qytetëruar e të Krishterë.

Krishtërimi, si mushkëri e shoqërisë Evropiane, i jep frymëmarrje një Europe të angushtuar prej një vakumi shpirtëror e moral dhe të lodhur prej konflikteve epokale, – qofshin ato sociale, ekonomike apo politike. Duke pasur në themel të saj etikën, moralin e krishterë, shoqëria europiane do të marshojë drejt një Jete të Re, drejt një Europe të Re, shndërrim ky i cili do të kryhet nën rezonancën e rivendosjes së marrëdhënieve Njeri-Perëndi, të cilën ia dedikojmë Zotit tonë Jisu Krishtit – Njeridashësit të Kryqëzuar, Pajtuesit të Gjinisë Njerëzore me Perëndinë Atë.

Ndihmesa që Kisha Orthodhokse mund t’i japë Europës në kuadrin e të gjitha kishave të krishtera europiane, është tepër esenciale, përderisa kjo Kishë mbetet prej dymijë vjetësh, kisha e Doktrinës së Drejtë, Kisha e të Vërtetës së Përjetshme, e cila ka potencialin e duhur për ta shkundur këtë kontinent nga letargjia e ateizmit kapitalist dhe për ta çliruar nga ethet e dukurive të ndryshme antisociale që shkakton kjo letargji, e cila zvetënon karakterin e individit e më pas si një sëmundje infektive, atë të të gjithë shoqërisë. Konferenca u zhvillua në mjediset e Mitropolisë së Neapolis, e cila gjendet në periferi të qytetit të Selanikut, Mitropolit i së cilës është Hirësia e Tij Dionisi. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të Patrikanës Ekumenike, të Patrikanës së Rusisë, Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë, të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të Kishës së Greqisë, Qipros dhe të Kishës së Çekisë. KOASH u përfaqësua nga at Joan Trebicka dhe nga Andi Nikolla.

Kryetar dhe drejtues i Konferencës ishte Hirësia e Tij, Mitropoliti i Zvicrës Damaskinoi, i cili mbajti fjalën e hapjes dhe u uroi mirëseardhjen delegatëve të kishave orthodhokse të pranishme në këtë takim. Një prezantim i axhendës së Asamblesë së Dytë Ekumenike Europiane (Graz, Austri 23-29 qershor 1997) u bë nga Dr. G. Larenzaqis, ndërsa prezantimi i Dokumentit të Punës për këtë Asamble u bë prej Hirësisë së Tij Episkopit të Sinaisë së Rumanisë, Theofanit dhe prej Prof. Papadheros. Këto u pasuan me shkëmbime opinionesh dhe diskutime për të arritur një pozicion të përbashkët midis kishave orthodhokse, e që më pas do t’u ofrohej të gjitha kishave të krishtera europiane në Asamblenë në Graz.

Prezantimi i axhendës të Asamblesë së 11-të së Përgjithshme të KEK (Graz, Austri 30 qershor – 4 korrik 1997) u bë nga Mitropoliti i Zvicrës Damaskinoi, Mitropoliti i Peristerit Krisostomi, Episkopi i Sinaisë Theofani, Episkopi i Trimithundës Vasili dhe Mitropoliti i Francës Jeremia.

Konferenca u përshëndet gjithashtu nga Ministri i Kulturës së Greqisë z. Venizellos, Kryetari i Bashkisë së Selanikut, Kryetari i Bashkisë së Neapolis etj.

Fundi i punimeve të konferencës u shoqërua me një vizitë në Halkidhiki, një zonë tepër piktoreske bregdetare, e cila ndodhet gjatë rrugës për në Mal të Shenjtë.

Delegacionit nga Shqipëria iu bënë përshëndetje të sinqerta prej delegatëve të të gjitha kishave në adresë të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës e të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasit.

Në foto: Përfaqësia e KOASH në një nga momentet e takimit.

A. Nikolla