Shpesh dëgjojmë njerëz që thonë se janë Orthodhoksë. Por mbi ç’bazë ngrihet ky afirmim? Një pjesë e madhe e tyre janë të pagëzuar, vijnë në Shërbesat e Shenjta, mësimet e katekizmit etj. Por, ka edhe të tjerë, që e thonë vetëm sepse kanë origjinë familjare orthodhokse. Kjo nuk është aspak e mjaftueshme.
Rregulli i parë i domosdoshëm, për të qenë pjesëtar i familjes orthodhokse është Pagëzimi. Vetëm nëpërmjet tij ne hyjmë në familjen e krishterë e na lind e drejta për ta quajtur veten orthodhoksë. Fatkeqësisht, në Kishë ndesh persona të cilët nuk e patën mundësinë të pagëzoheshin për shkak të regjimit monist. Por, kjo nuk i justifikon që ende sot, 10 vjet pas rifitimit të lirisë fetare të mos e kryejnë ende. “Arsyetimet” për moshën etj., nuk qëndrojnë, kur kujtojmë se ata që shkonin për t’u pagëzuar te Joani në lumin Jordan ishin të të gjitha moshave. Por edhe sot, në këto vite janë pagëzuar persona me mosha e origjina sociale të ndryshme. Mjafton të shfletosh regjistrat dhe e kupton sa të kota janë fjalët e atyre që pretendojnë se pagëzimi është për fëmijët, ndërsa për të rriturit nuk është “serioze”. Nuk ka asgjë më serioze dhe të shenjtë se të përulesh para Zotit. Vetë kështu njeriu mund ta lartësojë veten nga mëkati.
Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë. Kisha pranon në gjirin e saj edhe atë “që erdhi në orën e parë” edhe atë që “erdhi në të njëmbëdhjetën”. Ndaj, të mos ngurojmë për asnjë çast jo vetëm të sjellim për t’u pagëzuar fëmijët, por edhe të vijmë vetë, nëse ende nuk e kemi kryer këtë hap, që na bashkon me Zotin Jisu Krisht dhe Kishën e Tij.
Para pak ditësh, disa televizione e organe shtypi dhanë njoftime për një ceremoni mjaft mbresëlënësë në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë. Çifti Pirro Çako e Inva Mula erdhën posaçërisht nga Franca, për të bërë pagëzimin e djalit. Në gëzimin e tyre morën pjesë gjyshërit artistë, tre nga të cilët vijnë nga një traditë e fuqishme orthodhokse, të afërm e shokë, duke e kthyer ceremoninë në një festë të vërtetë, ashtu siç i takon një dite kaq të shënuar. Por nuk u tha, se tri ditë më parë ishte pagëzuar edhe vetë Inva, po në Kishën e Ungjillëzimit. Pra, një artiste kaq e njohur ndërkombëtare, e quante domosdoshmëri përmbushjen e këtij boshllëku që i kishte lënë e kaluara. Askush nuk turpërohet kur i përulet Perëndisë së Trinishme. Përkundrazi, lartohet, nderohet dhe shpëtohet.