Në Mitropolinë e Beratit, pagëzimet e reja janë të shpeshta dhe përfshijnë mosha të ndryshme.
Me bekimin e Hirësi Ignatit, më 14 gusht 2021, ditën e së Parakremtes së Fjetjes së Hyjlindëses, në fshatin Zvërnec, në kishën “Burimi Jetëdhënës”, u krye Liturgjia Hyjnore dhe disa pagëzime.
Meshimi u bë nga atë Kostandin Prifti. Merrnin pjesë besimtarë të fshatit, si dhe gra besimtare të kishës së “Shën Theodhorëve” të qytetit të Vlorës. Pas Liturgjisë Hyjnore, u krye Shërbesa e Misterit të Shenjtë të Pagëzimit e 5 grave nga fshati Zvërnec.
Këto pagëzime u mundësuan nga një bashkëpunim i frytshëm dhe i pandërprerë i atë Kostandin Priftit dhe katekistit Mihal Davidhi, ku më parë u është bërë katekizëm paralelisht me 8 gratë nga Vlora, që u pagëzuan muajin e kaluar. Falënderojmë Perëndinë që i ndriçoi këto 5 gra me hirin hyjnor duke i pranuar si bija të Mbretërisë së pasosur dhe duke i regjistruar në Librin e Jetës me emrat që morën në Misterin e Pagëzimit, Ardiana, Afrodhiti, Manuela, Vasilika, Florika.
Enoria “Burimi Jetëdhënës”, Zvërnec – Vlorë