Jashtë manastirit ishte ulur ava Abakumi me mjekrën e tij të bardhë. Sa e panë murgjit e rinj, u mblodhën shpejt rreth tij, sepse ai rrallë i dilte në oborr dhe kështu, ata nuk e humbën rastin.
– Cili është mëkati më i madh? – e pyeti njëri prej tyre.
– Të mbajturit mëri, – u përgjigj jerondi, – është mëkat shumë i madh, i kaq i madh, sa mund të na privojë Parajsën.
– Parajsën? Kaq i madh është? – e ndërpreu një tjetër.
– Më kujtohet, – vazhdoi jerondi, – një histori e vjetër…
Të gjithë u ulën, që të dëgjonin më mirë:
“Ishin vitet e diktatorit Valerian. Në një vend të largët të Lindjes jetonte një prift i krishterë, Niqifori. Në këtë qytet rrinte edhe një prift tjetër, Sapriku, të cilin Niqifori e kishte udhëheqës shpirtëror.
Por, djalli e urrente shoqërinë e dy vëllezërve shpirtërorë. Një shpifje djallëzore, që arriti tek veshët e Saprikut, mundi të shkatërronte lidhjet e tyre. Dhe kështu, Sapriku jo vetëm që nuk donte ta shihte me sy Niqiforin, por edhe e urrente pa masë. Shumë herë Niqifori u mundua t’i afrohej, t’i fliste, por Sapriku nuk dëgjonte asnjë lloj fjale. Ndërhynë dhe njerëz të tjerë që të pajtoheshin. Por, asgjë. Mendimi djallëzor e kishte pushtuar. Madje, sa më tepër kalonte koha, aq më shumë inatosej Sapriku.
Në atë kohë nëpër vendet e Lindjes ndodhi një persekutim, që të krishterët nuk e kishin parë asnjëherë. Të rinj e pleq, vdisnin për të dëshmuar besimin tek Krishti. Ndërmjet tyre kapën dhe Saprikun dhe e torturuan, që të mohonte besën. E çuan përpara statujës së florinjtë të Zeusit, por ai mohoi të sakrifikonte, ndaj e futën në burg, ku vazhdonin ta torturonin. Ndërkohë Niqifori me shumë para e detyroi rojen që të futej në qelinë e burgut…
– Të më falësh, – i thoshte duke qarë, se unë i kam fajet për të gjitha. Të më falësh.
– Kurrë, – i tha me më shumë inat Sapriku.
– Për pak do të ndahemi përgjithmonë. Si do të ndahemi me hasmëri? Të më falësh, – i tha prapë i qetë Niqifori.
– Kurrë. Të ikësh menjëherë. Roje, merre të lutem që këtej, nuk kam asgjë për të thënë, – e ndërpreu bisedën Sapriku.
Niqifori e humbi. Nuk e priste një qëndrim të tillë, të paktën tani, në këtë orë të martirizimit.
Ditën tjetër një ushtar lexonte dënimin me vdekje të priftit Saprik. Ndërsa xhelati përgatiste thikën për t’i prerë kokën, Niqifori i thirri nga mesi i turmës që ishte mbledhur.
– Më fal.
– Kurrë! Kurrë, – i thoshte Sapriku.
– Më fal, – ngulte këmbë Niqifori, por, përgjigjja e Saprikut s’u ndryshua. Por, Zoti nuk donte martirë të tillë. Asnjeri nuk do të shkojë në Parajsë, në qoftë se nuk ka brenda tij dashurinë. Ndaj e mori Hirin e Tij nga Sapriku. Ai në këtë çast ndjeu se u zgjua nga një gjumë i thellë, sikur të mos dinte përse gjendej i lidhur atje. Pa Hirin Hyjnor ishte tjetër njeri.
– Po çfarë kërkoj unë këtu? – pyeti me kureshtje.
– Je i dënuar, sepse je i krishterë dhe sepse mohove sakrificën tek idhujt, – i tha me zë të lartë xhelati.
– Jo, sakrifikoj, se nuk jam i krishterë, – iu përgjigj Sapriku, që kishte humbur bekimin e Perëndisë.
Njerëzit mbetën të ngrirë në vend. Niqifori u shastis. Ktheu kokën nga qielli dhe pa një ëngjëll të gatshëm për të kurorëzuar martirin. Por, kur Sapriku mohoi Krishtin, kurora qëndroi atje, duke pritur një martir të ri.
Atëhere, Niqifori doli nga turma dhe, me dëshirën e martirit, thirri para xhelatit dhe njerëzve të mbledhur:
– Krishti sot do një martir. Jam i krishterë. Çfarë pret? Më pri kokën.
Dhe kështu vendin e Saprikut e zuri Niqifori i shenjtë….”
Asnjë nga murgjit e rinj nuk ndihej, duke dëgjuar me devocion jerondin, i cili e mbylli rrëfimin:
– Kjo është historia, bijtë e mij. Të kini kujdes nga inatet dhe të mbajturit mëri dhe t’i luteni Zotit, që të na mbushë me dashuri. Pa dashuri nuk është e mundur që të martirizohemi për Krishtin.