NGA SHENJTORËT E MUAJIT
Oshënarja Theodhora nga Aleksandria (11 shtator)
Ishte e martuar në Aleksandri me arkondin dhe pasanikun shpresëtar Pafnutin në kohën e perandorit Zinon (v.476-491). Edhe pse thuhej për të se ishte e virtytshme, dikur u mashtrua dhe kreu tradhëti bashkëshortore. Por, menjëherë erdhi në vete dhe e dërrmuar la fshehurazi shtëpinë dhe, ju pështiros dhe mundoi aq shumë trupin saqë u shndërrua në eunuk dhe u strehua në një vend të paimagjinueshëm për bashkëshortin e saj që nuk dinte gjë dhe ishte i pangushëlluar, d.m.th. në manastir burrash! Punë të ashpër, kreshmë, agripni dhe lumë lotësh pendese e bënë të panjohur dhe nga vetë burri i saj, të cilin e takoi dikur, por atë e bënë edhe mrekullibërëse. Igumeni, duke konkluduar se ajo ndofta kishte ndonjë dhunti hyjnore, e dërgoi për të sjellë ujë nga një liqen ku kishte folenë një krokodil njeringrënës. Ajo u bind dhe shkoi. Egërsira e mori në kurriz dhe sapo mbushi ujë në enën e saj e rinxori në breg dhe pastaj ngordhi. Një herë tjetër, ndërsa ecte në shkretëtirë, udhën ia rrëfente një egërsirë, e cila ngordhi edhe ajo sapo e qortoi ajo, sepse iu vesul një murgu. Ndërkaq pas dy (ose tetë) vjetësh një grua shtatzanë jashtë martese shpifi si prishës të saj “murgun Theodhor” për të marrë hak ndaj tij, sepse e kishte kundërshtuar në epshet e saj. Oshënarja “pohoi” veprimin dhe pasi lindi foshnja e mori me vete kur u dëbua nga manastiri. Jetoi në një kasolle jashtë, vuajti shumë nga demoni që i paraqitej si bashkëshorti i saj ose si egërsirë ose si njerëz të armatosur ose në formën e floririt apo të gjellëve të shijshme. Pas shtatë vjetësh u thirr brenda në manastir dhe përsëri kreu mrekullira: Bëri që të mbusheshin përsëri puset e thara të manastirit. Fjetja e saj pas ca kohësh iu zbulua arkimandritit, i cili pa kortezhe shenjtore, duke marrë shpirtin e saj. Atëherë të stepur kuptuan se ishte femër! Lipsanit të saj iu fal edhe Pafnuti që më pas ishte bërë murg në qelinë e saj dhe u varros në varrin e saj. Igumeni i mëvonshëm u zgjodh fëmija që kishte rritur oshënarja. Fragmente në emër të saj i përkasin ose asaj ose ndonjë paraardhëse të saj që kishte po atë emër. Theodhora = dhuratë Perëndie.