EmailFacebookKontakt

Oshënare Sofia (4 qershor)

Jetoi në një epokë të pasigurt, bijë e perëndidashësve aristokratë të qytetit të Enosit. Me këtë emër ka patur shumë qytete, prej të cilëve më i njohur ishte ai i Trakës, ndaj ka shumë mundësi të bëhet fjalë për të. Megjithëse e martuar dhe me gjashtë fëmijë, ajo tregoi se kujdesjet dhe vështirësitë e jetës laike nuk arrijnë të ngrihen si pengesa për jetën shpirtërore. Sofia frekuentonte pa ndërprerje kishën dhe bënte agripni në shtëpi. Por, ndodhi që u godit prej fatkeqësive. Jeta e saj familjare u zhbë përfundimisht. Vdiqën të gjithë filizat e saj… Nëna e mjerë, në vend të bijve të saj natyrorë, u kujdes përjetimë e të veja. Ndau me shpirtmadhësi dhe me dorë të hapur pasurinë e saj (duket se kishte ndërruar jetë dhe i shoqi) dhe u dha në asketizmin e vërtetë: bukë dhe ujë ishte ushqimi, lutje e zellshme, lotët e vazhdueshëm. Përulej ndaj të gjithëve, aq përdëllyese dhe parapëlqente të privohej ajo vetë dhe jo lypsari! Si shpërblim i shkallës së lartë, shenjtërimi në të cilin ngjitej, iu dha mrekullibërja: Ena me verë që kishte për t’u dhënë të varfërve, mbetej gjithnjë e pambaruar, si krua i pashtershëm. Por, sapo ia bëri të ditur çudinë një të afërmi të saj, për lavdi të Perëndisë, gjëja e çuditshme, burimi i verës, u pre… U hidhërua në zemër dhe e lidhi këtë gjoja me padenjësinë e saj, ndaj i shtoi ushtrimimet e rrepta të saj deri në kufirin më të skajshëm. Jetoi si oshënare 34 vjet dhe fjeti 53 vjeçe, e përsosur në virtyt, pasi u qeth murgeshë në fund të jetës.