Ndër kategoritë e shenjtoreve të Kishës sonë është edhe ajo e Oshënareve Dëshmore. Në të përfshihen vajza shpresëtare, të cilat u zotuan për virgjëri të përjetshme dhe vuajtën tortura për besimin e krishterë. Ndër to radhitet dhe shën Evgjenia e Romës. Kisha jonë e nderon kujtimin e saj në Vigjilje të Krishtlindjes, më 24 Dhjetor.
Shenjtorja jetoi në shekullin II pas Krishtit, kur Perandor i Romës ishte Komodi (180 – 192). Në atë kohë ishte mjaft e rrezikshme të deklaroheshe i krishterë, duke qenë se të krishterët konsideroheshin armiq dhe persekutoheshin pa mëshirë nga Perandoria Romake. Babai i Evgjenisë quhej Filip dhe shërbente si guvernator i Aleksandrisë. Bënte pjesë në rangun e aristokratëve. Nëna e saj quhej Klaudia dhe kishte edhe dy vëllezër: Avita dhe Sergji. Evgjenia ishte e stolisur me bukuri të rrallë dhe virtyte e sjellje bujare.
I ati, ndonëse pagan, ishte i mirë dhe mundohej të ishte i drejtë. Kishte simpati për të krishterët dhe nuk i përndiqte, duke shkelur urdhërat perandorakë. E donte pamasë Evgjeninë dhe kujdesej për edukimin e saj. Vajza studioi filologji greke dhe romake. Në moshën 15-vjeçare mësoi për të krishterët dhe pati mjaft kërshëri për këtë doktrinë të re. Kështu, zuri të lexonte Shkrimet e Shenjta dhe letra të të krishterëve, të cilat i studionte me vëmendje, larg syve të prindërve. Me ndriçimin e Shpirtit të Shenjtë kuptoi se shpifjet e idhujtarëve kundër të krishterëve nuk qëndronin dhe u bind se ky besim ishte pakrahasimisht më i lartë se fetë idhujtare të kohës. Kërkonte rastin që të përqafonte besimin më Krishtin.
Një ditë, duke pretenduar se donte të shëtiste, me lejen e prindërve, iku dhe mori me vete dy shërbëtorët e saj Protas dhe Jakinth, të cilëve u komunikoi se nuk do të kthehej më në shtëpi. Arriti pranë një manastiri, ku igumen ishte një atë i virtytshëm, Theodhori. Që të pranohej në atë vëllazëri, u vesh me rroba burrash. I pranuan si rishtarë bashkë me dy shërbëtorët. Atje u katekizua dhe u pagëzua.
Evgjenia përparonte në jetën shpirtërore në manastir. Arriti deri në atë pikë shenjtërie, sa bënte mrekulli. Shërbëtorën e saj besnikë përpiqeshin ta imitojnë në virtyt dhe arritjet e saj në jetën shpirtërore.
Kur fjeti igumeni Theodhor, vëllezërit kërkuan që ajo të vihej në drejtim të Manastirit, duke e pandehur për burrë. Nga frika se do të zbulohej sekreti ajo refuzoi dhe rezistoi, por përfundimisht pranoi dhe u tregua tejet e zonja, duke udhëhequr në ushtrim dhe përparim shpirtëror vëllazërinë, ndërkaq që shenjtëria e saj u bë gjerësisht e njohur sikundër dhe hiri i saj mrekullibërës. Nga e gjithë zona përreth përjetonin mrekulli dhe të sëmurët gjenin shërim me lutjet e saj. Kjo dhunti e mrekullibërjes u bë shkas të dalë në dritë e fsheha e shenjtores. Një pasanike nga Aleksandria, Melanthia, u sëmur rëndë dhe, me hirin e shenjtores, u shërua në mënyrë të mrekullueshme. E ngarë nga djalli, Melanthia u trazua nga ndjenja mëkatare për shenjtoren, që e kujtonte burrë, shpifi kundër saj tek guvernatori, i cili ishte vetë babai i Evgjenisë, Filipi. Ky urdhëroi burgosjen e gjithë vëllazërisë, rreth treqind veta, duke i kërcënuar me dënim me vdekje.
Kur pa se për shkak të saj do të humbnin jetë të gjithë murgjit, Evgjenia i tregoi guvernatorit – babait të saj – se kush ishte, si dhe vendimin e saj për t’u bërë e krishterë. I zemëruar, Filipi harroi dashurinë për vajzën, e detyroi të veshë rroba të shtrenjta dhe e hipi në fron. Zjarr ra nga qielli në atë moment dhe dogji Melanthinë shpifëse dhe gjithë ndërtesat. U vra edhe Filipi.
Pas këtyre, Evgjenia, bashkë me të ëmën, vëllezërit dhe shërbëtorët besnikë u vendosën në Romë, ku jetonin në lutje dhe kreshmë. Kur nisi vala e re e persekutimit ndaj të krishterëve, ushtarët i arrestuan dhe u përpoqën t’i detyrojnë që t’u flijojnë idhujve. Statujat ndërkaq u rrëzuan vetiu dhe u shkërmoqën. Guvernatori Nikita urdhëroi t’u pritet koka fillimisht Protasit dhe Jakinthit. Evgjeninë e shpunë tek tempulli i Artemisës për të ofruar therore. Në atë çast ra një tërmet aq i madh, saqë e bëri copë-copë statujën e Artemisës. Shenjtores i lidhën gur në madh në qafë dhe e hodhën në lumin Tever, por shpëtoi mrekullisht. E hodhën në vazhdim në furrë të ndezur dhe përsëri shpëtoi. Trimëria e saj e pashembullt në besim bëri që shumë paganë të besojnë.
Përfundimisht, duke parë se përpjekjet e tyre nuk dhanë asnjë fryt, dërguan xhelatin gjakatar në qelinë e saj, i cili i preu kokën. Vendi ku e varrosën me shpresëtari u kthye në burim shërimesh dhe mrekullish të shumta.