EmailFacebookKontakt

Oshënar Platoni (4 Prill)

Lindi në Konstandinopojë midis viteve 732-735, nga prindër shumë të shquar e të pasur, Sergji dhe Eftimia, të cilët vdiqën shpejt. Megjithëse ishte i arsimuar dhe shumë i njohur, ofiqar i oborrit, ndau pasurinë e tij dhe u dorëzua (qeth) murg, rreth vitit 763, në manastirin Simvolon, të Olimpit të Vithinisë, në Azinë e Vogël, ku qe edhe igumen që nga viti 770.

Pas pushimit të përndjekjes ndaj ikonofilëve, mundi të shkojë në kryeqytet (780). Refuzoi fronin e Mitropolitit të Nikomidhisë dhe si i njohu dhe i afroi të afërmit e tij me murgjërinë, u kthye në manastir. Pothuaj njëkohësisht, motra e tij, Theoktistia, bashkëshorti i saj, Fotinos dhe të tre fëmijët e tyre (dy nga të cilët ishin Theodhor Studiti – 11 nëntor dhe Josifi i Selanikut – 14 korrik), dhe të afërm të tjerë, u bënë murgj në manastirin e tyre privat, afër fshatit Sakudhion të Vithinisë. Më 782 ata ftuan si igumen Platonin.

Oshënari mori pjesë në një sinod, në Konstandinopojë (786) dhe në Sinodin e 7-të Ekumenik, në Nikea. Më 794 u hoq si i sëmurë dhe dha dorëheqjen si igumen, në favor të Theodhorit. Manastiri i tyre u shndërrua në një pikë mbështetjeje të “zilotëve”, të cilët iu kundërvunë me forcë martesës së paligjshme të perandorit Konstandin VI (780-797). Perandori prishi manastirin, çoi Platonin në Konstandinopojë dhe burgosi të dy nipat në Selanik (795 ose 796). Ndërkohë, për shkak të mësymjes së arabëve, ata u vendosën në Konstandinopojë (798), ku iu dha nga perandoresha Irini (792-802) dhe nga Patriku shën Tarasi (25 shkurt), manastri gjysmë i rrënuar i Studitit, të cilin e bënë të famshëm. Ndoshta Platoni ishte edhe aty igumen. Por, problemet në lidhje me martesën e paligjshme dolën përsëri në pah dhe studitët mbajtën sërish qëndrim. Për këtë, të tre oshënarët e guximshëm u internuan veç e veç në Propontidë (809). Platoni u revokua për shkak të një sëmundjeje të rëndë (811) dhe mbeti në shtrat derisa fjeti (4 prill 814).