EmailFacebookKontakt

Oshënar Joasafi (26 gusht)

Jeta e tij u vërtetua se u shkrua nga Shën Joan Damaskinoi (4 dhjetor). Ishte bir i mbretit të korruptuar Avenir të Indisë, i cili deri atëhere nuk kishte patur fëmijë, persekutorit të tmerrshëm dhe të korruptuar të të krishterëve, bashkëkohës i Konstandinit të Madh (21 maj).

Kur lindi shenjti, i ati, i frikësuar nga një profeci se fëmija do shkëlqente si i krishterë, e mbylli në një pallat të shkretë. Por, Varllaami i urtë dhe i shenjtëruar, hieromonak i shkretëtirës së Babilonisë, duke u shtirur si tregtar, vajti dhe mundi ta takonte. I predikoi, e pagëzoi dhe u largua. Djaloshi i rezistoi trysnisë dërrmuese që ushtroi mbi të mbreti, për ta risjellë në idhujtari. I vuri, p.sh. një robinë të bukur, bijë mbreti, për ta tërhequr në martesë. Ndërkohë Varllaami, tashmë i burgosur, kishte shpartalluar aq keq magjistarët në një diskutim publik, saqë disa besuan. Më pas, Aveniri i dha Joasafit gjysën e mbretërisë, se ndofta përkujdesjet shtetërore ia errësonin mendjen, po ai, me fjalën e shembullin e tij, i bëri nënshtetasit e vet të krishterë! Përfundimisht edhe i ati dhe zotërinjtë e tij u thyen, u ndriçuan dhe u pagëzuan! Pas katër vjetësh Aveniri vdiq i penduar dhe shumë shpejt oshënari njëzetepesëvjeçar ua ndau të varfërve pasurinë e tij, caktoi monark një zotëri shpresëtar dhe vetë u largua, duke hidhëruar popullin. U end i shumëvuajtur për dy vjet, derisa gjeti Varllaamin në shkretëtirën e tij, ku pas 17 vjetësh bashkëushtrimi hisiakst, ky i fundit fjeti. Pas kësaj, eremiti lufton jashtë mase në një shpellë për ngritjen shpirtërore (dhe, si mbret, e keqtrajtonte ashpër veten), derisa iku tek Zoti pas 35 vjet asketizmi.

Lipsanët e të dy asketëve u sollën në atdheun e tyre nga mbreti pasardhës i Joasafit. Më 30 maj kremtohet një oshënar Varllaam, por pa të dhëna për jetën e tij. Kështu supozohet se është fjala pikërisht për këtë shenjtor.