Në gazetën “Republika” të datës 8 prill 1993, në intervistën tuaj dhënë “QUANTARA”, botim i Institutit të Botës Arabe, midis të tjerave keni deklaruar se “në origjinë të gjithë shqiptarët ishin në fillim katolikë dhe pastaj, nën ndikimin e Bizantit, një pjesë e tyre u bënë orthodhoksë”. Në gazetën “Kombi” të datës 25 maj 1993, duke marrë për bazë ndoshta intervistën tuaj të sipërme, Pirro Gjini, në artikullin me titull “Historiani i shquar Sebastian”, midis të tjerave shkruan “se feja katolike ka qenë feja e parë ndër shqiptarët, para asaj islame e orthodhokse”.
E vërteta historike është krejt ndryshe. Në fillim Kisha Kristiane ka qenë një e vetme, në Lindje dhe në Perëndim, me pesë qendra udhëheqëse: Kryepiskopata e Romës dhe në Lindje patriarkitë e Konstantinopolit, Aleksandrisë, Antiohisë dhe Jerusalimit me juridiksionin e tyre përkatës. Uniteti doktrinar ishte i plotë. Në 7 sinodet ekumenike, që u mbajtën midis viteve (325-787) për dënimin e herezive fetare, unanimiteti ka qenë i plotë. Përfaqësuesit e Papës kanë aprovuar pa rezerva vendimet dogmatike të këtyre sinodeve. Ndarja e kishave të Lindjes dhe Perëndimit ndodhi më vonë, në shekullin XI (1054) për shkaqe doktrinare dhe juridiksionale (primati papal), që nuk është vendi këtu t’i trajtojmë. Kisha e Perëndimit u quajt Kisha Romano-Katolike, ndërsa Kisha e Lindjes u quajt Kisha Orthodhokse e Lindjes. Pra, katolicizmi historikisht ka lindur njëmijë vjet më vonë, nga lindja e kristianizmit. Prandaj, shqiptarët nuk kanë qenë dhe nuk mund të ishin në fillim katolikë.
Kisha Orthodhokse Shqiptare është e lashtë, dymijëvjeçare. Komunitetet e para kristiane janë krijuar në Iliri qysh në shekullin e parë, nga apostulli i madh i popujve, PAVLI, i cili predikoi kristianizmin që nga Palestina dhe deri në Ilirinë e largët, siç pohon vetë në letrat që u ka dërguar e drejtuar komuniteteve kristiane që kish krijuar vetë në udhëtimet e tij apostolike. Episkopi i parë i Durrësit ka qenë Shën Qesari dhe pas tij Shën Asti, të cilin, në kohën e persekutimeve të perandorit roman, TRAJAN (98-117), qeveritari roman i Durrësit, Agrikol, e mbërtheu në kryq si Krishtin judenjtë. (Dh. Beduli: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 1992).
Katolicizmi ka hyrë në Shqipëri pas ndarjes së Kishës në Orthodhokse dhe Katolikë, pra, pas shekullit XI, në kohën e pushtimeve veneciane dhe, më vonë, kur Perandoria e Apstro-Hungarisë mori nën mbrojtjen e saj katolikët që ndodheshin nën sundimin otoman.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë që nga shekulli i parë qëndron e patundur në dogmat e orthodhoksisë që vendosën bashkarisht të dyja Kishat, e Lindjes dhe e Perëndimit, në sinodet ekumenike të mijëvjeçarit të parë. Besimtaria (la piete) e orthodhoksëve shqiptarë, gjatë periudhës së sundimit otoman, ishte aq e thellë sa që ata as u joshën nga favoret dhe privilegjet e turqve dhe as u trembën nga persekutimet e tyre barbare, për të lënë fenë orthodhokse dhe për të kaluar në islamizëm. Një pjesë, për të ruajtur fenë dhe kombësinë, morën rrugën e mërgimit, kurse pjesa tjetër, që përbënte shumicën, mbeti në Shqipëri.
Komuniteti orthodhoks i sotëm është trashëgimtar i këtij brezi shqiptarësh orthodhoksë të paepur. Në këtë kontekst, është për t’u përmendur “loja” e fshatarëve të zonës së Shpatit, në rrethin e Elbasanit, banorët orthodhoksë të së cilës ndërruan emrat e tyre kristianë, në muhamedanë, sa për sy e faqe të pushtuesve otomanë, sepse me këta emra thirreshin vetëm ditën midis tyre, ndërsa natën në shtëpi thirreshin me emrat e vërtetë kristianë dhe kryenin në fshehtësi ritet fetare orthodhokse. Teologët grekë kanë mbrojtur doktoratën në teologji me këtë temë, e cila mund të jetë ndoshta një ngjarje unike në tërë perandorinë osmane. Orthodhoksët e këtyre fshatrave mbetën deri më sot orthodhoksë të flaktë dhe përbëjnë krenarinë e orthodhoksisë shqiptare. Eshtë për t’u vënë në dukje fakti se si s’u gjend asnjë hafije në radhët e tyre për të denoncuar këtë mashtrim kaq të madh, të vazhdueshëm për shekuj me radhë dhe tepër të rrezikshëm. Mendimi im personal është se një qëndrim i tillë e ka burimin pikërisht tek besimtaria e tyre e thellë kristiane.
Çfarë subjekti për penën tuaj prej shkrimtari me famë botërore. Sa bukur mund të integrohej kjo copëz e rezistencës shqiptare me karakter fetar në “Pallatin e Endrrave”. Sekreti i ruajtjes së fesë stërgjyshore, ishte aq hermetikisht i mbyllur, sa që nga Shpati i largët shqiptar nuk mbërrinte në kryeqytetin e Perandorisë Osmane asnjë informacion nëpërmjet rrjetit të spiunazhit perandorak. Çfarë diptiku mund të dilte nga pena juaj e rrallë, përkrah “Pallatit të Endrrave” dhe çfarë shërbimi të madh do t’i bënit kombit tonë, duke i zbuluar botës një aspekt tjetër të rezistencës së tij në planin fetar.
Natyrisht, unë i referohem planit historik dhe jo atij alegorik të tregimit tuaj, që më ka magjepsur jo vetëm me stilin e gjuhën tuaj shumë të bukur, por edhe me fantazinë tuaj të jashtëzakonshme. Por, kjo ishte vetëm një parantezë, sepse thelbi i letrës sime ka të bëjë me të vërtetën historike rreth orthodhoksëve shqiptarë.
Me konsideratë të lartë,
TEODOR PAPAPAVLI
pedagog në Seminarin e Kishës Orthodhokse
Shënim: Kjo letër është botuar më parë në gazetën “Sindikalisti”.