EmailFacebookKontakt

Orthodhoksët duhet të jenë qytetarë të përgjegjshëm

Pyetje 1: A do t’i bëni thirrje besimtarëve tuaj që të votojnë në favor të ndonjë partie gjatë zgjedhjeve?

Përgjigje: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka theksuar prerë se nuk përzihet në politikë. Natyrisht, anëtarët e saj duhet të jenë qytetarë të përgjegjshëm. Orthodhoksia ofron kriteret, kultivon ndërgjegjen, shpall parimet e përjetshme të dashurisë, të së vërtetës, të ndershmërisë e të lirisë. Duke pasur këto si bazë, Orthodhoksët, me përgjegjësi, mund të gjykojnë çdo herë për programet e partive dhe të vendosin për kandidatët konkretë.

Pyetje 2: Çfarë prisni të sjell qeveria e ardhshme për kthimin e pronave të Kishës suaj?

Përgjigje: Respektimi i lirisë fetare është parimi bazë i demokracisë së sotme në Shqipëri, madje ajo është saksionuar me konventa ndërkombëtare. Por, ky respektim, veçanërisht përbën kërkesën bazë të popullit. Prandaj, është mëse e kuptueshme se që të gjitha partitë duhet të respektojnë lirinë e zhvillimit edhe të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila është komuniteti më i madh dhe më i vjetër kristian i Shqipërisë. Do të ndihmojnë gjithashtu, edhe në zhvillimin e saj pa pengesa. Eshtë mëse e qartë se, mbështetja e komuniteteve fetare kontribuon në progresin e përgjithshëm, në zhvillimin shpirtëror dhe në jetesën harmonike të tërësisë shoqërore dhe të begatisë së Shqipërisë.

Pyetje 3: A shpresoni tek qeveria e ardhshme për kthimin përfundimtar të pronave?

Përgjigje: Kësaj pyetjeje mendoj se u dha përgjigjja me sa thashë më lart. Ne shpresojmë se çdo qeveri do ta vazhdojë rrugën e demokratizimit dhe dhënies së drejtësisë ndaj të gjithëve, kryesisht komuniteteve dhe aq më tepër atyre fetare, të cilat çdo gjë e përdorin për të mirën e gjithë qytetarëve të Shqipërisë, pa përjashtim.

Shënim: Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që u zhvillua më 9 maj, u shpreh mbështetje e njëzëshme e për këtë prononcim të Kryepiskopit Anastas.