Po e ribotojmë këtë intervistë të Kryepiskopit Anastas (“Ngjallja”, maj 1996), pasi ndaj çështjeve të tilla politike qëndrimi i Kishës sonë ashtu si i Kishës Orthodhokse në tërë botën, është gjithnjë i njëjtë, pavarësisht nga konjukturat e çastit.
“Orthodhoksët duhet të jenë qytetarë të përgjegjshëm”
I pyetur nga gazeta “Drejt” rreth pozicionit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në këtë pragzgjedhjesh (28 prill 1996), Prof. Dr. Anastasi, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, u përgjigj:
Pyetje 1: A do t’i bëni thirrje besimtarëve tuaj që të votojnë në favor të ndonjë partie gjatë zgjedhjeve?
Përgjigje: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka theksuar prerë se nuk përzihet në politikë. Natyrisht, anëtarët e saj duhet të jenë qytetarë të përgjegjshëm. Orthodhoksia ofron kriteret, kultivon ndërgjegjen, shpall parimet e përjetshme të dashurisë, të së vërtetës, të ndershmërisë e të lirisë. Duke pasur këto si bazë, Orthodhoksët, me përgjegjësi, mund të gjykojnë çdo herë për programet e partive dhe të vendosin për kandidatët konkretë.
Pyetje 2: Çfarë prisni të sjellë qeveria e ardhshme për kthimin e pronave të Kishës suaj?
Përgjigje: Respektimi i lirisë fetare është parimi bazë i demokracisë së sotme në Shqipëri, madje ajo është saksionuar me konventa ndërkombëtare. Por, ky respektim, veçanërisht përbën kërkesën bazë të popullit. Prandaj, është mëse e kuptueshme se që të gjitha partitë duhet të respektojnë lirinë e zhvillimit edhe të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila është komuniteti më i madh dhe më i vjetër i krishterë i Shqipërisë.
Është mëse e qartë se, mbështetja e komuniteteve fetare kontribuon në progresin e përgjithshëm, në zhvillimin shpirtëror dhe në jetesën harmonike të tërësisë shoqërore dhe të begatisë së Shqipërisë.
Pyetje 3: A shpresoni tek qeveria e ardhshme për kthimin përfundimtar të pronave?
Përgjigje: Kësaj pyetjeje mendoj se u dha përgjigjja me sa thashë më lart. Ne shpresojmë se çdo qeveri do ta vazhdojë rrugën e demokratizimit e të dhënies së drejtësisë ndaj të gjithëve, kryesisht komuniteteve dhe aq më tepër atyre fetare, të cilat çdo gjë e përdorin për të mirën e gjithë qytetarëve të Shqipërisë, pa përjashtim.