Olimbi Mulla – Mësonjësja e Korçës
(1904-1978)
Të krishterët orthodhoksë të Korçës tregojnë përpjekjet heroike të atyre që u ndoqën, sepse i shërbyen denjësisht arsimit dhe Kishës së Shenjtë. Panteonit të këtyre luftëtarëve i përket dhe mësuesja e flaktë Olimbi Mulla. U vlerësua nga populli veçanërisht për devocionin e saj ndaj arsimit, dhe me dashuri e përshëndetnin duke e quajtur “drejtoresha e shkollës”, për shkak të aftësive të saj edukative. Ishte një edukatore e pazmbrapsur dhe me shpirt femëror që mbeti simbol i historisë së re të Korçës.
Në qoftë se kërkon informacion suplementar, njerëzit përgjigjen me terminologjinë e tyre, “ishte mësuesja që zëvendësoi zonjën Dhanai”, një drejtoreshë tjetër dinamike. Njerëzit përdorin kode personale komunikimi, kur duan të shprehen për ata që brumosin shpirtrat, për ata që rilindin shoqërinë.
Olimbia lindi në Berat (1904), atëherë kur Perandoria Osmane vazhdonte të mbante në robëri popujt e Ballkanit. Orthodhoksët e shtypur kundërvepronin me kulturë dhe fuqishëm, duke bërë plane për brezin e ri dhe për arsimin e tij edhe atë fetar.
Prindërit e saj, orthodhoksë të denjë, vunë re në karakterin e vajzës së tyre cilësitë e njeriut të fortë, i cili do të vazhdonte traditën e brezave. Që të plotësonin ëndrrën e tyre, e dërguan të studiojë në shkollat e Patrikanës Ekumenike.
Olimbia mbaroi shkollën e vashave në Konstandinopojë (1923) dhe u emërua nëndrejtoreshë e shkollës së vashave në Korçë, si dhe drejtoreshë e konviktit të shkollës (1924). Ndërmori detyra në një kohë të vështirë. Kishte njerëz që e shikonin me sy të keq për arsye të origjinës, fesë, dhe studimeve që kishte mbaruar.
U martua në Korçë (1924). Familja e bashkëshortit të saj quhej Mulla dhe lindën dy fëmijë. Ishin pjesëtarë të kompanisë të prodhimit të elektrikut në Korçë. Kjo familje e lumtur dhe aktive piu kupën e hidhur të dhembjes: vajza e tyre u sëmur dhe vdiq në moshë shumë të re. Në këto kohë të vështira, mbështetja e tyre u bënë njerëzit e kishës. Vizitat e tyre ishin të rregullta dhe tepër të dallueshme, i ofruan të lexonte librin “Shën Joani i Krostandit”. Ishte një libër shumë i fortë, i cili lehtësoi dhembjen e nënës dhe bëri që të lulëzojë pjekja shpirtërore.
Një ierapostull ka thënë: “asgjë nuk mund të fshijë lotët më mirë sesa një vështrim drejt qiellit”. Olimbia pra e dorëzoi dhembjen në duart e Perëndisë dhe punoi për dobinë shpirtërore të njerëzve të saj.
Si manifestim i parë i ndihmës së saj konsiderohet përkthimi i librave në gjuhën shqipe. Fletorja me dorëshkrimet e saj qarkulloi nga dora në dorë midis orthodhoksëve dhe i entuziazmoi lexuesit. Në vazhdim përktheu librin e Paravolive të Zotit, shkruar nga Arqimandrit Serafim Papakosta.
Kështu u kultivua parrulla ierapostolike “jetë, domethënë të ndihmosh të tjerët të jetojnë”, dhe kështu u ndez zjarri i shenjtë i ndihmës dhe ofrimit. Cilësitë e saj shpirtërore i njohën orthodhoksët dhe e zgjodhën midis anëtarëve të tjerë të dhimogjerondisë së Korçës. Pa vonesë dhe pa marrë në konsideratë asgjë tjetër u aktivizua; themeloi shoqërinë (1945) që mbronte nënën dhe fëmijën. Jetimorja e mbyllur për shkak të Luftës II Botërore funksionoi përsëri dhe në të u strehuan një mori fëmijësh. Organizoi maternitetin e qytetit dhe emëroi personelin e infermierisë – e madhe ishte ndihma e vëllezërve vullnetarë. Mjekët të specializuar në degën e gjinekologjisë, që kishin mbaruar studimet në Francë iu shërbenin të sëmurëve. Përpjekjet e saj bënë që të spikatte puna largpamëse dhe njeridashëse e orthodhoksëve; të krishterët si dhe ata të besimeve të tjera ndihmonin në të njëjtën mënyrë.
Kur Enver Hoxha vendosi të qeverisë vendin sipas sistemit komunist, vendime të ndryshme legjislative u imponuan. Karakteristik ishte rasti i institucioneve apo pronave private (spitale, jetimore, etj.), shoqërive (muzikore, sportive etj.) shoqatave (të zejtarëve, artistëve, etj.). Që të vazhdonin të funksionin duhej që statusi i tyre të përkrahte ideologjinë e partisë komuniste (1947). Këshilli i Kishës ishte kundër ndryshimeve në insititucionet kishtare. Olimbia meqenëse ishte kryetare, konsiderohej në të njëjtën kohë edhe përgjegjëse (1947-1967). Emri i saj ishte regjistruar në arkivat e sigurimit me “bojë të kuqe”, duke u konsideruar si armike e popullit, reaksionare, që përpiqej të “modernizonte” shoqërinë. Kush ishte kundër frymës dhe mësimeve të partisë ndiqej egërsisht. Por ajo nuk zmbrapsej. Me këtë ndjekje indirekte veprimtaria e Mitropolisë së Korçës, pushoi së funksionuari. Kryetarja u bë shumë herë objekt hetimesh.
Gjatë periudhës së ndjekjes (1967-1990) banesa e saj u bë një kolimvithër e vogël e Siloamit. Bashkatdhetarët e saj duke u gjendur në dhembje e vizitonin mësuesen për të gjetur ngushëllim për hidhërimin që u shkaktonte ndjekja. Ajo e pafuqishme, e dobët nga ana administrative, por me besim të fortë tek Perëndia i përkrahte duke i mësuar. Udhëhiqte të urtët dhe besëtarët në organizimin e shoqërive të vogla të qëndresave shpirtërore. Shoqëria e njohur e kriptokristianëve (të krishterëve të fshehur) ishte sugjerimi i saj personal. Me delikatesë iu afrohej priftërinjve të përndjekur dhe iu jepte kurajo të vazhdonin përpjekjet fshehurazi.
Kur filluan kërkimet nga ana e policisë në shtëpitë e banorëve të qytetit, për të zbuluar objektet e fshehura fetare, ajo i dogji shumicën e librave fetare si dhe përkthimet e saj. Ai që dispononte të tilla objekte dënohej me burgim të rreptë…
Sa më shumë vazhdonte partia veprimet dhunuese aq më shumë shpaloste Olimbia në qetësi lartësinë e saj shpirtërore duke mbrojtur kështu brezat e shenjtë dhe të drejtë. E stolisur me margaritarët e një trimëreshe, me margaritarët e durimit dhe diturisë ajo ndërmerr një “sulm” të ri paqësor në orën e ndjekjes më çnjerëzore. Harton tekste fetare anonime, të cilat i studionin të krishterët e fshehur, tekste këto ku ata merrnin forcë në luftën e tyre të përditshme të besës.
Përpara se të rihapej Kisha, Olimbia iku nga kjo botë. Emri i saj mbeti monument i edukatorit të pamposhtur orthodhoks. Mbeti gruaja, e cila kundërpeshoi planet e ateizmit dhe fitoi ideologjikisht me idealet e arsimit dhe fesë.
Origjinali shkruar në greqisht
nga Vasil Kaskadami
Përktheu
Aleksander P. Filip