Numri 358, i tetorit 2022, i gazetës “Ngjallja”, është mjaft i veçantë. Shënon 30-vjetorin që nga dalja e numrit të parë të saj. Shfletimi i koleksioneve të jep një imazh të qartë të rrugës së jashtëzakonshme në rritje të Kishës sonë.
Kryepiskopi Anastas ishte projektuesi dhe drejtuesi saj. Në fjalimin e Fronëzimit, më 2 gusht 1992, ai e kishte quajtur “nevojë urgjente” daljen e gazetës së Kishës. Kryeredaktori i parë ishte dr. Thoma Qendro, ndërsa këshilltari, korrespondenti, bashkëpunëtori më i vyer dhe gjithmonë i gatshëm për të shkruar ishte teologu Dhimitër Beduli, gjithmonë i paharruar. Gjithashtu, të gjithë ata që punonin e kontribuonin për Kishën, e panë si detyrë dhe kënaqësi të shkruanin artikuj për të apo të sillnin kujtime nga e shkuara.
Në hapat e parë nuk kishte asnjë mjedis të përshtatshëm. Vetëm një kompjuter i dhuruar, i cili u vendos në një dhomë të vogël të marrë me qira. Më pas u kalua në një ambient më të gjerë, por përsëri privat, po me qira. Edhe vetë Kryepiskopi e kishte zyrën në apartamentin ku banonte.
Më pas, gazeta u vendos në mjediset që iu shtuan kishës së Ungjillëzimit, ndërsa në vitin 1995, personeli i saj u vendos në zyrat e reja në godinën e Kryepiskopatës, të blerë dhe të rikonstruktuar tërësisht me fondet e siguruara nga Fortlumturia e Tij.
Në këtë 30-vjetor, Zyra e Shtypit dhe e Botimeve, që përgatit edhe gazetën, është e vendosur në zyrat moderne të selisë së Sinodit të Shenjtë, pjesë e kompleksit madhështor të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”.
Vit pas viti, në faqet e saj kanë zënë vend të veçantë betejat për të mbrojtur Kishën tonë nga sulmet që synonin më kot të ndalnin ecjen e saj. Janë pasqyruar data historike të këtyre dy dekadave dhe veçanërisht mrekullia e ringritjes së Kishës nga gërmadhat e komunizmit. Këtu do të veçonim zgjedhjen, para 25 vjetësh, të Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës sonë, krijimin e Sinodit të Shenjtë dhe hirotonitë e episkopëve të rinj, Statutin e ri, Marrëveshjen dhe njohjen zyrtare nga Shteti sipas Kushtetutës etj.
Në të është pasqyruar mendimi i klerikëve, teologëve, por edhe i besimtarëve. Është pasqyruar vepra e shquar sociale për shtresat më në nevojë dhe kontributi i veçantë në raste krizash e çastesh të vështira që ka kaluar vendi. Ka zënë vend roli gjithmonë në rritje i Kishës dhe Fortlumturisë së Tij mes Kishave Orthodhokse dhe atyre të Krishtera në përgjithësi, por edhe në dialogun ndërfetar.
Në këtë përvjetor një falënderim i veçantë u shkon të gjithë bashkëpunëtorëve tanë ndër vite, të vjetër e të rinj, të cilët kanë qenë të pazëvendësueshëm për suksesin dhe daljen e gazetës.
Thoma Dhima