EmailFacebookKontakt

“Nuk i trembemi as zjarrit, as shpatës, as egërsirave…”

Veprimtaria e shquar shpirtërore e bamirëse e shën Vasilit të Madh e zemëroi perandorin Valens. Dërgoi pra, në Qesari, krahinarin Modest, që ta trembte me kërcënime episkopin Vasil dhe ta kufizonte në veprën e tij sociale e predikuese.

Historia ka ruajtur këtë dialog midis Modestit dhe shën Vasilit. Bëhet fjalë për një dialog, ku hierarku kockë e lëkurë dhe i veshur thjesht, shfaqet gjigand dhe hero përpara Modestit, kukullës së perandorit. Ia vlen ta përfshijmë në këtë biografi të shkurtër të shenjtorit.

Modesti: Si, pra? Nuk i trembesh fuqisë sime?

Shën Vasili: Dhe përse t’i trembem? Çfarë mund të më bësh?

Modesti: Çfarë mund të të bëj? Të gjitha janë në pushtetin tim. Mund të të internoj, mund të të torturoj, madje edhe të të vras.

Shën Vasili: Me ndonjë gjë tjetër mund të më frikësosh, se këtyre nuk u trembem. Konfiskimit të pasurisë nuk i trembem, sepse nuk kam gjë tjetër përveç dy rasove të vjetra dhe ca libra. Internimit nuk i trembem, sepse gjithë tokën e konsideroj atdheun tim. Torturave nuk i trembem, sepse trupi im është aq i dobët, saqë do të vdesë para se të arrish ta torturosh. Dhe, së fundi, nuk i trembem as vdekjes, sepse ajo do më sjellë më shpejt pranë Perëndisë.

Modesti: Kurrë nuk kam dëgjuar fjalë të tilla!

Shën Vasili: Sepse kurrë nuk takove ndonjë episkop. Ne jemi të urtë dhe të përulur, dhe jo vetëm përpara mbretit, por dhe njeriut më të fundit. Por, nëse bëhet fjalë për besimin tonë te Perëndia, nuk i trembemi as zjarrit, as shpatës, as egërsirave.