EmailFacebookKontakt

Nuk është dhënë një urdhër i tillë

Z. Skënder Buçpapaj
Drejtor i Përgjithshëm i RTSH
Z. Qemal Sakajeva
Drejtor i Televizionit
Departamentit të Informacionit Televizjonit
Gazetës ‘Rilindja Demokratike”

Kurrë nuk është dhënë urdhër që të kërkohet leje nga Kryepiskopi Anastas, për xhirimet televizive në kishat orthodhokse

Në lidhje me sa u transmetua në emisionin e lajmeve të Televizionit të dt. 27.9.1994 dhe komentin përkatës të RD-së (28.9.1994), deklarojmë se: Kryepiskopi Anastas kurrë nuk ka dhënë urdhër të ndalohet askush, dhe aq më pak Televizoni Shqiptar, për të hyrë në objektet orthodhokse të kultit. Gjatë gjithë jetës së tij, Fortlumturia e Tij ka qenë dhë është mbështetës i vendosur dhe i sinqertë i lirisë së shtypit dhe i së drejtës të të informimit të saktë të popullit.

Me këtë rast, është e domosdoshme të ritheksohet përsëri diçka, për të cilën komuniteti orthodhoks dhe besimtarët kanë protestuar shumë herë në mënyrë zyrtare: Disa persona përgjegjës të Televizonit, në mënyrë sistematike dhe të padrejtë, kanë sulmuar dhe sulmojnë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe udhëheqjen e saj, duke imponuar censurë, duke tjetërsuar deklaratat e të klerikëve orthodhoksë dhe duke u munguar objektiviteti në paraqitjen e ngjarjeve. Asnjëherë nuk janë botuar përgjigjet dhe deklaratat e ardhura nga qytete të ndryshme të besimtarëve orthodhoksë dhe personave përgjegjës të zgjedhur prej tyre.

Të gjitha këto veprime kanë krijuar mosbesim dhe dyshime ndaj këtyre lloj korrespondentëve tek shumë klerikë orthodhoksë shqiptarë, të cilët shpesh vihen në dilemë për synimet e vërteta të tyre kur u kërkohet ndojë intervistë apo filmim.

Dhe, para së gjithash, nëpunësit e Televizonit duhet të kuptojnë se janë të detyruar të lëvizin dhe punojnë me respekt për gjërat dhe ritet e shenjta të Kishës dhe të mos ofendojnë ndjenjat fetare të besimtarëve orthodhoksë.

Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë