Me këtë fjalë të urtë priste dhe përshëndeste orakulli i famshëm i Delfit. Mbi një vend të posaçëm e të dukshëm të hyrjes së orakullit ishte e shkruar kjo fjalë e urtë dhe kushdo që hynte në faltore, nuk ishte e mundur të mos i shtinte sytë dhe ta lexonte.
Edhe filozofë e moralistë të njohur të kohës së vjetër theksonin e çmonin rëndësinë e saj. Sokrati p.sh., i cili u mor veçanërisht me filozofinë praktike dhe me lumturinë e njeriut në këtë botë, lavdëron tepër këtë fjalë dhe e quan themel, bazë të lartësimit moral të njeriut. Perëndia, thotë filozofi i madh, duke i përshëndetur vizitorët me këtë përshëndetje, na jep të kuptojmë se kjo fjalë është e dobishme dhe e nevojshme për përsosmërinë morale e shpirtërore të njeriut. Po në këtë mendim është dhe Ciceroni, i cili në veprat e tij filozofike nuk pushon së ngrituri në qiell ndikimin e jashtëzakonshëm që ushtron njohja e vetes, “nosce te ipsum”, mbi formimin e karakterit të njeriut.
Po ç’kuptim ka vallë kjo fjalë e urtë, që lavdërohet aq shumë nga filozofët e moralistët e vjetër? Mos kërkon të thotë, se duhet të njohim veten tonë nga pikëpamja trupore e lëndore? Mos do të thotë, se është nevojë të vëzhgojmë e të studiojmë rastet e jashtme që na rrethojnë gjatë jetës, kushtet në të cilat jetojmë ose nevojat e ndryshme që takojmë orë e çast në këtë jetë? Aspak. Një interpretim të tillë nuk e japin as moralistët që përmenden më sipër. Sokrati dhe Ciceroni kanë të njëjtin mendim për sa i përket shpjegimit të kuptimit të drejtë të fjalës: Gnothi safton ose noscete ipsum. Do të thotë: të kqyrim me kujdes e të studiojmë mirë botën tonë shpirtërore, prirjet e shpirtit, veset e liga që mund të ketë, dobësitë e ndryshme të karakterit dhe përgjithësisht, predispozitat që kanë hyrë në mënyra të ndryshme në shpirtin tonë edhe e kanë pushtuar atë. Këtë studim duhet ta bëjë çdo njeri, sepse, sipas Sokratit, ky vëzhgim e kjo vetënjohje është themeli ku mund të mbështetet më vonë përmirësimi shpirtëror, ngritja morale e njeriut dhe fisnikërimi i karakterit dhe i ndjenjave të tij.
Që ky studim të sjellë këto përfundime, nuk duhet të jetë një kqyrje e thatë dhe thjesht teorike, por duhet të shoqërohet e të pasohet nga një përpjekje e fortë, për të zhdukur veset e liga, që mund të zbulojë, si dhe nga lufta pa pushim kundër tyre, deri sa t’i zhdukë e t’i zëvendësojë me veti e dispozita të mira. Po nuk u bë ky veprim, është tepër i padobishëm çdo studim e çdo njohje e vetes. Mund të gjesh e të konstatosh të meta shpirtërore, duke vëzhguar botën tënde shpirtërore; po ç’dobi ka për të të ardhur në qoftë se ti, në rast se i zbulon këto të meta, nuk merr një vendim të prerë, që t’u shpallësh atyre luftë të pamëshirshme dhe të mundohesh t’i shkulësh nga shpirti e t’i flakësh tutje? Si mund të quhet njohja e vetes themel përparimi shpirtëror e moral, po të mos pasojë një vullnet i fortë për pajisjen e shpirtit me veti të virtytshme? Pra, kuptohet, se fjala e urtë “njihe veten tënde” nuk ka as një rëndësi e dobi, po të qëndrojë vetëm në një studim e në një njohje të thatë, pa shkaktuar te njeriu një dëshirë për zgjim nga letargjia e ligësisë, në të cilin ndodhet, e për pastrim të shpirtit nga mëkatet që rëndojmë mbi atë, si një shkëmb.
Edhe feja e jonë e shenjtë i jep një rëndësi të veçantë vetënjohjes e vetëstudimit. Kur Shpëtimtari na porosit të mos shikojmë halën në sytë e tjetrit, por trarin tonë, nuk thotë tjetër, përveçse të kqyrim veten tonë, të zbulojmë trarin (mëkatet që kemi) dhe të përpiqemi ta largojmë nga shpirti i ynë. Dhe Apostulli, kur na këshillon të provojmë e të studiojmë veten tonë, para se të paraqitemi përpara Kungatës së Shenjtë, nuk kupton tjetër gjë, përveçse vetënjohjen e vetëstudimin e imtë të gjendjes sonë shpirtërore. Këtë kuptim psikollogjik ka, gjithashtu edhe misteri i pendesës; që të pendohet njeriu për mëkatet që ka bërë ose që ka, kuptohet vetiu se më parë duhet t’i gjejë e t’i zbulojë këto mëkate. E ky zbulim mund të bëhet vetëm e vetëm me anën e vetënjohjes e vetëstudimit.
Pra, kur studimi dhe njohja e vetes sonë quhet si një gjë e domosdoshme për lartësimin e shpirtit tonë dhe rekomandohet nxehtësisht, si nga doktrina Hyjnore e Ungjillit, ashtu dhe nga filozofët e moralistët e vjetër, që nuk largohen shumë nga parimet Ungjillore, kur themi, puna qëndron kështu, është detyrë e çdo të krishteri të vërtetë t’i shtrohet këtij vetëstudimi dhe të përpiqet papushim të njohë mirë shpirtin e tij me gjithë dispozitat e mira ose të liga që mund të ketë. Ç’do pasonjës i Krishtit dhe çdo njeri që nuk është shtënë me mish e me shpirt pas fitimit e pas shijimit të të mirave lëndore, por që i jep një rëndësi të veçantë përmirësimit të tij shpirtëror e moral, duhet çdo ditë të disponojë një kohë të shkurtër, për ta parë veten e për të gjykuar sjelljet e veprimet e tij gjatë ditës. Në fund të ditës, i tërhequr mënjanë ose në shëtitje e sipër, le t’i hedhë sytë në ngjarjet e ditës dhe le të vëzhgojë me qetësi, se si kaloi kjo ditë për të: Mos bëri vallë ndonjë fjalë të keqe, ndonjë fjalë me të cilën plagosi ndofta ose lëndoi shpirtin e tjetrit? Mos nuk e plotësoi mirë detyrën që pati? Mos u suall keq me superiorët ose me inferiorët e tij?…
Pasi këto pyetje t’i bëjë me vete dhe të shohë qartazi realitetin e të vërtetën, le të lavdërojë veten atje ku është për të lavdëruar dhe le të qortojë e të kritikojë veten për gabimet e për mëkatet që mund të ketë bërë. Por, nuk duhet të mjaftohet vetëm me kaq: është nevoja t’i shoqërojë këto qortime dhe me një pendesë të thellë e të kthjelltë e me një vendim të prerë, se të nesërmen s’ka për të ndjekur rrugën e shtrëmbër, por do të heqë dorë nga çdo mendim ose veprim i keq që bëri gjatë ditës së kaluar. Duhet të japë fjalën përpara ndërgjegjes së tij dhe Zotit, që e sheh e i kupton të gjitha, se do të bëhet njeri krejt i ri e i ndryshëm. Kjo do arrihet me anën e vullnetit të tij të fortë dhe me ndihmën e Zotit, i cili askujt nuk ia kursen ndihmën e madhe, mjafton të kërkohet me gjithë shpirt e me gjithë zemër.
Pra, studimi dhe shikimi i vetes është mirë të bëhet çdo ditë. Por, sidomos të Dielave e të Kremteve mund të bëhet në një mënyrë më sistematike dhe më dobiprurëse, sepse ato janë të destinuar, së pari për të ardhur njeriu në afrim e në bashkëfjalim me Zotin me anën e ceremonive kishtare. Përveç kësaj, duhen përdorur si ditë çlodhjeje nga mundimet e javës e si ditë dëfrimi shpirtëror e trupor të lejueshëm; por, sa mirë do të ishte sikur njeriu në këto ditë të disponte një kohë të shkurtër, qoftë dhe vetëm gjysmë ore, për të gjykuar sjelljet e veprimet e tij të javës së kaluar e për të parë, siç themi, llogaritë shpirtërore e morale të tij!
O ju, që tregoni një interes të gjallë për lartësimin e shpirtit e të karakterit tuaj! Njiheni mirë veten tuaj, studiojeni me kujdes botën tuaj shpirtërore dhe vendosni pa vonesë zhdukjen e të metave që mund të nxjerrë para jush vetënjohja e vetëvëzhgimi. Një veprim i tillë, përveçse do t’ju çelë rrugën e lumturisë në këtë jetë, do t’ju sigurojë dhe lumturinë e amëshuar në botën tjetër, në atë botë, që është caktuar për shpirtrat e kulluar dhe të pastër.
Dhimitër Beduli