Dikur, Shën Andoni, duke vëzhguar thellë në gjykimin e Perëndisë, e pyet me kurreshtje: Zot, pse disa njerëz vdesin të rinj, ndërsa të tjerë arrijnë në moshë të madhe? Pse disa janë të varfër dhe disa të pasur? Si mëkatarët pasurohen dhe të drejtët janë të varfër? Dëgjoi një zë që i thotë: Andon, kujdesu dhe shqyrto veten tënde. Këto janë gjykime të Perëndisë dhe nuk janë të dobishme t’i mësosh.
Kjo është detyra e rëndësishme e njeriut: Të marrë përsipër para Perëndisë përgjegjësinë e gabimeve të tij dhe të presë ngasje deri në frymëmarrjen e fundit.
Pashë të gjitha kurthet e djallit, psherëtiva dhe thashë: Kush vallë mund t’i kapërcejë? Dhe dëgjova një zë që më tha: I përuluri.
Do të vijë një kohë ku njerëzit do të jenë të çmendur dhe, sapo të shohin dikë me logjikë, do ta sulmojnë duke i thënë: Je i marrë, sepse nuk si ne.
Nga ata që na rrethojnë varet jeta dhe vdekja jonë. Nëse e fitojmë vëllanë tonë, kemi fituar Perëndinë. Nëse e skandalizojmë vëllanë tonë, mëkatojmë ndaj Krishtit.
Disa vëllezër vizituan Shën Andonin dhe i thanë: Na thuaj një mënyrë se si të shpëtojmë shpirtin tonë. Shenjti iu përgjigj: Nuk dëgjuat ç’thotë Shkrimi i Shenjtë? Ju mjafton Shkrimi i Shenjtë! Ata këmbëngulnin duke thënë: Por duam të dëgjojmë nga ju, atë. Atëherë ai u thotë: Ungjilli thotë se, nëse dikush ju godet në faqen e djathtë, ktheji dhe faqen tjetër. – Nuk mund ta bëjmë këtë – i thanë. Shën Andoni vazhdoi: Në qoftë se nuk mund t’i ktheni faqen tjetër, të paktën të duroni njërën shuplakë. – As këtë nuk mund ta bëjmë- iu përgjigjën. Nëse as këtë nuk mund ta bëni, mos iu përgjigjni dhe ju me shuplakë. – As këtë nuk mundemi – i thanë përsëri. Atëherë, ati i thotë nxënësit të tij: Bëju një supë, sepse janë të sëmurë. Nëse njërën nuk mundeni dhe tjetrën nuk doni, çfarë t’ju bëj? Ju nevojiten lutje!
Inteligjenti i vërtetë synon të arrijë vetëm një qëllim: t’i bindet dhe t’i ngjajë Perëndisë së Gjithësisë. Duke pasur këtë synim të vetëm para syve, ai e disiplinon shpirtin e tij dhe, për çfarëdo që mund të hasë në jetë, e falënderon Perëndinë për madhështinë dhe thellësinë e rregullit të Tij të përkujdesjes për të gjitha gjërat. Sepse është absurde t’i jemi mirënjohës mjekëve që na japin ilaçe të hidhura dhe të pakëndshme për të kuruar trupin tonë, dhe të mos i jemi mosmirënjohës Zotit për gjërat që na duken të vështira, duke mos kuptuar që të gjitha gjërat që hasim në jetë janë për të mirën tonë dhe sipas përkujdesjes së Tij. Sepse njohja e Perëndisë dhe besimi tek Ai është shpëtimi dhe përsosja e shpirtit.
Shpesh, njerëzit quhen gabimisht inteligjentë. Inteligjentë nuk janë ata që janë eruditë në thëniet dhe librat e njerëzve të ditur të kohëve të vjetra, por ata që kanë shpirt inteligjent dhe mund të dallojnë të mirën nga e keqja. Këta i shmangen çdo gjëje mëkatare dhe që u dëmton shpirtin; dhe me mirënjohje të thellë ndaj Perëndisë punojnë me vendosmëri për praktikimin e asaj që është e mirë dhe e dobishme për shpirtin. Vetëm këta duhet të quhen inteligjentë të vërtetëW.
Kur Shën Andoni jetonte në shkretëtirë, ishte në një gjendje plogështie dhe mendja e tij ishte errësuar prej gjërave imagjinare (mendime) dhe i thotë Perëndisë: Zot, dua të shpëtoj, por këto mendime nuk më lënë të qetë. Çfarë të bëj? Si do të shpëtoj? Pak më vonë, kur doli jashtë qelisë, pa dikë si veten e tij, i cili qëndronte ulur dhe punonte, pastaj ngrihej nga puna dhe lutej; përsëri ulej dhe thurte fije, dhe përsëri ngrihej për lutje. Ai ishte një engjëll i Zotit, i dërguar për korrigjimin dhe sigurinë e pengesave të Shën Andonit. Pastaj, ai dëgjoi engjëllin të thotë: Vepro kështu dhe do të shpëtosh. Kur dëgjoi këtë, ai u gëzua shumë dhe mori kurajë. Veproi kështu dhe u shpëtua.
Dikush e pyeti Shën Andonin, duke i thënë: Çfarë të bëj, o atë, që t’i pëlqej Perëndisë? Ati iu përgjigj duke thënë, bëj këto që po të them: a) Kushdo qofsh, ki gjithmonë Perëndinë para syve. b) Në çdo veprim tëndin, vepro sipas mësimeve të Shkrimit të Shenjtë. c) Dhe në çfarëdo vendi jeton apo punon, mos u largo lehtë. Mbaj këto tri gjëra dhe do të shpëtosh.
Marrë nga libri “Jerontikon”