Eshtë i njohur fakti, se që prej dy vjetësh, me bekimin e Kryepiskopit Anastas janë hapur e funksionojnë përkujdesje ditore fëmijësh në Tiranë, Durrës e Korçë. Qëllimi është jo vetëm për të ndihmuar nënat që punojnë, duke u mbajtur fëmijët e duke zhvilluar një proces edukativo-mësimor, por, më e rëndësishmja, që nëpërmjet këtij procesi dhe gjithë veprimtarive që kryhen në përkujdesje, të kultivohet në shpirtrat e njomë të fëmijëve mirësjellja, morali dhe dashuria e përulur, sipas porosive të Ungjillit.
Tashmë në qytetin e Kavajës, funksionon edhe një vatër tjetër, përkujdesja e re e ngritur në mjediset e Kishës madhështore të Shën Nikollës. Më 1 mars, pas disa kohë përgatitjesh nga Zyra e Katekizmit dhe sekretaria e kopshteve pranë Kryepiskopatës së KOASH, u bë e mundur hapja e përkujdesjes ditore dhe në këtë qytet, për ata prindër, pa dallim feje, që dëshirojnë, që përveç të tjerave, fëmijët të pajisen edhe me njohuri të besimit.
Shërbesa e bekimit të hapjes së kësaj përkujdesjeje nga at Joan Pelushi dhe at Kristo Xhoxhi, do t’i linte vendin cicërimave të 50 ëngjëjve të vegjël, të cilët, të veshur me uniformat e bukura, do shpërndaheshin në sallat e gjera e pot dritë të mësimit, në sallën e madhe të ngrënies e në mjediset e tjera, të pajisura me mjete të shumta arsimore, didaktike e argëtuese.
Programi që ndiqet në këtë përkujdesje dhe në gjithë të tjerat, të hapura nga KOASH, është bazuar në programin e hartuar nga Ministria e Arsimit, duke u pasuruar dhe nga mjaft tema të përzgjedhura nga programet mësimore, të cilat ndiqen sot në përkujdesje ditore bashkohore perëndimore.
Kristina Hanxhari