Çdo vit, Mitropolia e Elbasanit i ka kushtuar vëmendje të veçantë organizimit të kampeve verore në të gjitha zonat që mbulon. Sivjet ato u zhvilluan në 12 pika, dhe përfshinë mbi 400 fëmijë, të cilët kaluan së bashku 5 ditë të mbushura me veprimtari shpirtërore dhe argëtuese.
Si çdo vit, kampet zhvillohen me mbështetjen e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i cili i ka quajtur “universitet veror”, si dhe me bekimin e nën kujdesin e Hirësi Andonit.
Tema e sivjetshme e kampeve ishte “Udhëtim në arkën e shpëtimit”, e cila i ndihmoi fëmijët të mësojnë udhëtimin e jetës në bordin e Arkës së Shpëtimit, që është Kisha, me Zotin Jisu Krisht si kapitenin tonë dhe Hyjlindësen si udhërrëfyese, ndihmëse, ndërmjetëse dhe shoqëruese.
Në kampe nuk mungoi prania e prindërve, të cilët u shprehën mirënjohës për këtë program ndërtues, që u jep fëmijëve mundësi të argëtohen dhe, më e rëndësishme, që të largohen nga lojërat elektronike etj.
Programi përfshinte veprimtari shpirtërore, mësim këngësh të krishtera, punë dore, lojëra argëtuese e sportive, konkurs biblik, shëtitje në natyrë dhe aktivitete artistike, të organizuara e konceptuara në mënyrë të atillë, për t’i ndihmuar fëmijët që të rriten në rrugën e vërtetë, në jetën me Krishtin, me dashuri për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin.
Zyra e Katekizmit, Elbasan