EmailFacebookKontakt

Një udhëtim i paharruar në Filipi

Me ftesën e Mitropolitit të Kavallës, Hirësisë së Tij Prokopit dhe grupit të grave të kësaj mitropolie, mori pjesë në kremtimin e 1950-vjetorit të pagëzimit të gruas së parë evropiane nga Apostulli i Madh i kombeve, Shën Pavli, edhe një grup grash nga Mitropolia e Tiranës. Ishte një udhëtim që zgjati vetëm pesë ditë, por që la mbresa të pashlyera.

Në Shërbesën e Mbrëmësores, të zhvilluar në kishën e Shën Lidias dhe në Liturgjinë Hyjnore të datës 20 maj, për të kremten e shenjtores, kishte një pjesëmarrje të madhe jo vetëm nga grupet e grave orthodhokse të vendeve të ndryshme, por edhe nga qytetarët e Kavallës, që e nderojnë veçanërisht dhe mburren me shenjtoren.

Pasdite u mbajtën dy kumtesa për figurën e Shën Lidias, ku doli në pah figura madhështore e saj, si gruaja dhe evropiania e parë e pagëzuar nga Shën Pavli (por edhe si një nga femrat e para që të okupuara me tregti, meqë merrej me shitjen e porfirit, që ishte një gjë tepër e rrallë për atë kohë).

Ditën e diel, Liturgjia u krye në Kishën e Shën Pavlit dhe në drekë u mbajt referati nga profesori i theologjisë në Universitetin e Athinës Evangjello Thedhoros, për figurën e Shën Lidias, lidhjen me Apostull Pavlin dhe ndihma e madhe e mbështetja ekonomike që qyteti i pasur i Filipisë i jepte kurdoherë Apostullit.

Sot, qyteti i Filipisë është vetëm vend arkeologjik, ku pasqyrohet qartë madhështia dhe pasuria e dikurshme e tij. Në të duken ende edhe rrënojat e kishës së qytetit të lashtë që banorët ndërtuan për nder të Apostull Pavlit; një kishë madhështore, me përmasa 50×135 m. Aty ruhet edhe qelia ku u burgos Apostull Pavli dhe me një mrekulli tërmeti zinxhirat u zgjidhën dhe ai u lirua (Vep. Ap. 16/26).

Kisha e Shën Lidias është e një bukurie të veçantë dhe e ndërtuar sipas stilit të kishave të asaj kohe. Në mes të kishës, midis kolonave, është kolimbithra, tamam në vendin ku kalonte lumi ku u pagëzua shenjtorja. Kubeja e kishës është e zbukuruar me mozaik, ku paraqitet Krishti Pantokrator. Të gjitha dritaret e kishës, të zbukuruara me xhama shumëngjyrësh, paraqesin shenjtorë dhe Hyjlindësen me Krishtin.

Gjatë ditëve të takimit, gratë shkëmbyen në bisedat e tyre edhe përvojën e organizimit më të mirë të punës në ndihmë të njerëzve më të vuajtur.

N. Melo