Kjo Pashkë provoi të jetë e veçantë për një grup të rinjsh, të cilët zgjodhën të linin qytetin dhe familjet e tyre pë të udhëtuar me At Lukën dhe presviterën Fotini Veroni, në shtatë fshatra të ndryshëm, duke dhënë mesazhin, dritën, dhuratat e Vdekjes dhe Ngjalljes së Krishtit. Për seminaristët dhe përfaqësuesit e rinisë, Joan Lena, Kristo Paskali, Nina Gramc, Aleksandra Çako e Leonidha Papa udhëtimi i Pashkës qe mbushur me shumë eksperiencë dhe miq të rinj.
Të Shtunën e Llazarit, grupi ynë filloi udhëtimet e tij me fshatin Poro në Vlorë, dhe festoi Liturgjinë e parë në kishën e bukur të Shën Nikollës. Besimtarët orthodhoksë ishin të gëzuar t’i binir këmbanës së re në kishën e tyre për herë të parë dhe të këndonin lëvdime falenderimi për kishën e tyre të re dhe ngjalljen e Shën Llazarit. Pas mikpritjes së Dhiakon Sotir Priftit, student i vitit të tretë në Seminar dhe familjes së tij, u nisëm për në Himarë. Arritëm të shtunën vonë në mbrëmje dhe këmbana e kishës ra për Mbrëmësoren. Pak njerëz erdhën në shërbesë dhe u kënaqën kur morën vesh se përsëri këtë vit një prift mund të bekonte Pashkën e tyre.
Të Diëlën e Dafinave, u ribashkuam me miqtë tanë të Himarës, dhe u gëzuam me triumfin e hyrjes së Zotit dhe Mbretit tonë në Jeruzalem. Menjëherë filluam mësimet, këngët dhe dekoracionet me fëmijët, gjë që vazhdoi tërë javën. Mbrëmësoret e Dhëndërit qenë të qeta dhe të paqshme, pasi njerëzit prisnin të merrnin Iisuin si Dhëndër. Liturgjia e parashenjtërimit u krye të Hënën, të Martën dhe të Mërkurën dhe Kungimi i Shenjtë u mor me padurim. Të Mërkurën e Shenjtë, ne ofruam dy herë Misterin e Efqelisë së Shenjtë, në Himarë dhe Vuno. Qindra të rinj dhe të moshuar u mblodhën, u lutën dhe morën Vajin e Shenjtë me falenderime.
Të Enjten e Shenjtë udhëtuam për në Palasë, ku dhe kryem një Liturgji të bukur. Na priste një kishë e mbushur plot e përplot dhe më tepër se 25 Mesha të Shenjta të përgatitura nga gra besimtare. Pas Liturgjisë, u larguam për në Pilur, për shërbesën përkujtimore të 40 ditëve. At Luka dha një predikim mbi paqen dhe shpresën që ne kemi në jetën e përjetshme për shkak të Zotit tonë të Ngritur. Gjatë gjithë ditës, gratë ishin duke lyer vezet e kuqe. Ne dëgjuam histori të ndryshme, se si këto familje mbajtën këtë traditë edhe gjatë viteve të persekutimit. Në mbrëmje, një grup lutësish reflektoi mbi dhimbjen e Krishtit, kur u lexuan 12 Ungjijtë.
Te premten e Shenjtë, shumë nga fëmijët në Himarë qëndruan për të marrë pjesë në tre shërbesat, të dekoronin Epitafin dhe të mësonin vajtimet për shërbesën e mbrëmjes. Atë natë, ne ecëm së bashku me Krishtin kur morrëm Epitafin përrreth Kishës.
Të Shtunën e Shenjtë, ne u kthyem në Vuno, ku shumë besimtarë të emocionuar morën Kungimin e Shenjtë. Së bashku përjetuam shpresën dhe pjesëmarrjen e grave Miroprurëse për Ngjalljen e Krishtit. Pas Liturgjisë, ne u kënaqëm duke vizituar disa shtëpi besimtarësh në Vuno dhe Himarë. Të tërë kishin historira zemërngrohëse për të treguar, ashtu sikurse dhe mikpritjen e madhe. Atë natë, kisha në Himarë ishte mbushur plot e përplot për Shërbesën e Ngjalljes. Shumë familje kishin ardhur nga Greqia, për të festuar Pashkën me familjet e tyre. Megjithëse kishte mjaft zhurmë, ne festuam Ngjalljen e Krishtit me gëzim dhe falenderim. Me të vërtetë, Ai u Ngjall!
Të Dielën e Pashkëve, At Luka udhëtoi shumë herët në mëngjes për në dy kisha në Himarë dhe një në Kudhës, për t’iu dhënë Kungimin të sëmurëve. Pasdite, u shpall lajmi i mirë i Ngjalljes së Krishtit, në aq gjuhë që patëm mundësi të lexonim dhe këndonim Shërbesën e Dashurisë. Pas Shërbesës, At Luka duhej të kryente një shërbesë të përmortshme të një gruaje të moshuar dhe më pas vizituam varret e të ndjerëve. Gjithçka ishte solemne, por dnë me shpresë he kenduam “Krishti u Ngjall”. Falë vdekjes dhe Ngjalljes së Krishtit, ne nuk i frikësohemi më vdekjes.
Të Hënën e Bardhë u dhamë lamtumirën dhe falenderimet tona të thella miqve tanë të Himarës dhe u nisëm për në Dukat të Vlorës. Këtu u përshëndetëm me buzëqeshjet e bardha të 19 fëmijëve të emocionuar që do të pagëzoheshin, të cilët prisnin së bashku me drejtuesin e tyre, student i vitit të tretë, Dhiakon Jani Konomi. Pas shërbesës së pagëzimit, të tërë fëmijët e Dukatit kënduan me tërë zemrat e tyre “Krishti u Ngjall”, si dhe këngë të veçanta për një kasetë, të cilën do t’ia dhuronin Kryepiskopit Anastas.
Për grupin tonë ishte me të vërtetë një udhëtim i paharrueshëm. Ne u larguam me përshtypjet e fundit të bukurisë së fshatrave që vizituam, me historitë frymëzuese të besimtarëve, me gëzimin e fëmijëve, etjen për njohuri dhe dëshirën e fortë për të pasur priftërinj dhe katekistët, që të shkonin për t’u ofruar besimtarëve mësimet dhe dhuratat e Mistereve të Shenjta. Ne u ndjemë të bekuar të sillnim dhe të merrnim dritën e Ngjalljes së Iisu Krishtit nga besimtarët e këtyre zonave.