Tregues për punën intensive dhe kujdesin e veçantë që tregohet në procesin mësimor në njësitë shkollore të Fondacionit Arsimor “Fryma e Dashurisë” të Kishës sonë Orthodhokse, janë edhe çmimet që morën nxënësit tanë në një veprimtari në Rumani. Fjala është për veprimtari që organizon Ministria e Arsimit e Republikës së Rumanisë, nën kujdesin e Parlamentit dhe në bashkëpunim me Sekretariatin mbi Diasporën Helenike të Republikës së Greqisë. Ajo është Olimpiada e helenizmit dhe gjuhës greke. Sivjet ishte edicioni i 7-të i saj. Me nismën e tyre dhe nxitjen e mësuesve në veprimtari paraqitën kërkesë për pjesëmarrje edhe nxënës nga Kolegji “Frymë Dashurie” në Mesopotam. Pesë prej tyre: Angjelo Frango, Panteli Koça, Dhimitra Voko, Milica Spiro dhe Evanthia Çavo, të shoqëruar nga mësuesit e tyre të Filologjisë dhe Gjuhës Greke: Aleksandros Vanargiotis dhe Elpis Theofanidu, udhëtuan në Bukuresht nga data 8-14 shtator 2022, për t’iu nënshtruar provimit ambicioz me pjesëmarrje nga 13 shtete. Konkursi u zhvillua nën drejtimin e një jurie pedagogësh të shquar të fushës, në ambientet e Parlamentit rumun. Këto ambiente bartin një fakt historik prekës: një bir i këtyre trevave të Kishës sonë Orthodhokse, i famshmi Apostolos Arsakis, para 160 vjetësh, në to mbronte aktin e bashkimit të principatave të Vllahisë dhe Moldavisë, për krijimin e Rumanisë moderne dhe kushtetutën e saj. Bëhet fjalë për një gjeni të letrave, politikan, arsimdashës dhe filantrop të shquar. Përgjithësisht, për popullsitë Orthodhokse të vendit tonë, në shekujt e errësirës otomane, treva të dashura dhe bujarisht mikpritëse ishin ato të Vllahisë dhe Moldavisë. Bamirësit e mëdhenj dhe mbështetësit e prosperitetit social, Vangjel dhe Konstandin Zhapa, Avraam Lakçe, si më të shquarit, por edhe të tjerë me të njëjtën famë, krijuan atje mundësi për të mbështetur vendlindjen. Ky kujdes për arsimin, i bazuar në vlerat klasike, të edukimit gjuhësor, si themel i gjithë kualifikimit në vijim, është vlerë e veçantë e pedagogjisë në shkollat e Fondacionit “Fryma e Dashurisë”. Nxënëset Dhimitra Voko dhe Milica Spiro, në nivelin C1 morën respektivisht çmimin e parë dhe të dytë, ndërsa dy nxënës, në pikë të barabarta, morën vendin e katërt. Kjo dëshmon më së miri punën që bëhet dhe kujdesin e posaçëm që u theksua më lart. Sepse këto rezultate, këto arritje dhe vlerësimet në aktivitete kombëtare apo ndërkombëtare nuk janë më të izoluara apo fragmentare. Përbëjnë arritje të përsëritura. Duke dëshmuar kështu se dëshira e themeluesit të Fondacionit, mbështetësit aktiv jo vetëm në aspektin ekonomik dhe financiar, por kryesisht në drejtim, me përvojën akademike që rrallë personalitete disponojnë, të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, është tanimë një realitet. Fjala është për dëshirën e tij që shkollat “Frymë Dashurie” të jenë në parojë të arsimit enciklopedik, të kultivimit shpirtëror të një familjeje dashurie dhe të përgatitjes së qytetarëve të përgjegjshëm që do të kontribuojnë në rilindjen e mbarë shoqërisë.
O. B.