EmailFacebookKontakt

Një tjetër ide për zhvillimin bujqësor

Një fermë e vërtetë është duke u krijuar në Xarrë, në pronësitë e “Shën Donatit”. Në kuadrin e përkujdesjes së Kryepiskopit Anastas për programe të mjedisit dhe zhvillimit bujqësor një pemishte po merr shtat atje prej dy vjetësh. Është me të vërtetë një ndërhyrje origjinale që veç të tjerave shërben si një program-pilot, si një shembull për gjithë zonën dhe më gjerë për mundësitë që ofrohen për zhvillimin e bujqësisë.

Falë kushteve të rralla klimaterike që ofron zona, mjedisi idilik që krijojnë burimet e Liqenit të Butrintit dhe tokës mjaft të përshtatshme, zona është e krijuar për një zhvillim bujqësor intensiv.

Në një sipërfaqe toke prej 250 dynymësh, është konturuar tashmë pemishtja e ardhshme. Janë mbi 600 rrënjë ullinj të mbjellura rishtazi, 350 agrume si dhe pemë të tjera frutore.

Zona e Xarrës dhe Mursisë ka një përvojë të pasur në këto kultivime. Pikërisht këtë traditë do të nxisë kjo ndërhyrje e Kryepiskopit. Prandaj dhe në pemishten e Kishës aplikohen sisteme të avancuara për ujitjen dhe shërbimet e tjera kultivuese. Projekti që kryhet atje me gjithë mbështetjen teknike do të jetë një shembull për zonën, për mundësitë që ofron kultivimi në frutikulturë, por nga ana tjetër do të jetë edhe një ndihmë direkte për Kishën Orthodhokse.

Frutat e kësaj pemishteje, të cilat do të fillojnë të vijnë së shpejti, për shembull, do të mbështesin konviktet dhe shkollat, që funksionojnë nën përkujdesjen e Kryepiskopit Anastas në dobi të Kishës dhe popullit orthodhoks.

Edhe me këtë ndërhyrje Kisha Orthodhokse vjen me një ide progresiste dhe i prin me shembullin e vet përparimit të vendit dhe të shoqërisë.

Përveç 1000 pemëve të mbjella në pronën e “Shën Donatit”, që kanë zhvillim shumë të mbarë janë edhe 300 rrënjë, ullinj kryesisht dhe disa pemë të tjera frutore, në tokat e Manastirit të Profet Ilisë, në Vrinë.

Kjo pemishte u krijua në vitin e kaluar dhe pemët në të u mbollën kryesisht nga nxënësit e Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar” të Kishës Orthodhokse në Gjirokastër.

Një përkujdesje të veçantë për të gjithë këtë veprimtari zhvilluese mjedisore dhe bujqësore tregon edhe prifti i enorisë së Shën Nikollës në Xarrë, at Pandeli Mitro.

Korresp. i “Ngjallja”