U nisëm me gëzim të vizitojmë djalin tonë në kamp dhe njëkohësisht të shohim Manastirin e mrekullueshëm të Zvërnecit. Ndonëse ishte një ditë e nxehtë, udhëtimi nuk na u duk i lodhshëm. Kur u afruam u mahnitëm nga bukuria natyrore e atij ishulli të vogël, dhe veçanërisht nga kisha e vjetër “Fjetja e Shën Marisë”.
U takuam me drejtuesit e kampit, të cilët na ftuan përzemërsisht të drekojmë, të freskohemi e të çlodhemi. Gjatë bisedës me ta mësuam për programin e pasur që zhvillonin djemtë kampistë. Temat interesante që trajtonin drejtuesit dhe etërit e Kishës ndikonin pozitivisht në krijimin e karakterit të brendshëm të fëmijëve me ndjenjën e dashurisë, e falënderimit për Perëndinë, me dashurinë për shokët, faljen dhe pendimin etj. Bisedat gërshetoheshin me lojëra sportive, zbavitëse, banjo në det, lutje, shfaqje filmike etj.
Bashkë me to, fëmijët shijonin një ushqim të bollshëm dhe me asortimente të ndryshme. Drejtori i kampit, z. Jorgo Papadhopulli, na njohu me traditën gati 10-vjeçare të tij (në fillim në Manastirin e Shën Kozmait) dhe me punën për të ndihmuar shpirtërisht të rinjtë që, pas periudhës së egër të ateizmit, të gjejnë udhën e shpëtimt drejt Krishtit, Zotit tonë.
Të mbushur plot mbresa të thella e prekëse, falënderojmë me mirënjohje të veçantë, Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas që i ndriçuar me dritë Perëndie, organizon, zhvillon dhe udhëheq me urtësi vepra të tilla të mrekullueshme për të rinjtë shqiptarë. Nga thellësia e zemrës, i urojmë jetë të gjatë dhe qoftë përherë një pishtar i Krishtit për vendin tonë të shtrenjtë, Shqipërinë.
Me nderim të thellë, prindërit e Kristi Maçit, kampist në turnin e parë, Zvërnec