EmailFacebookKontakt

Një shpirt i dashur largohet dhe një shembull i mirë mbetet për ne!

Para pak kohësh ndërroi jetë motra jonë më Krishtin, Luiza Eleni, një besimtare shumë e devotshëm e Kishës sonë.

Luiza rridhte nga një familje shpresëtare beratase dhe që në fëmijëri, gjyshja e saj, që ishte motra e Kryepiskop Kristofor Kisit, e ushqeu me një edukatë fetare dhe dashuri të thellë për besimin tonë orthodhoks. Ndonëse nuk u martua, Luiza rriti në zemrat e shumë fëmijëve dhe të rinjve të rrethit të saj familjar dhe në shoqëri dashurinë e madhe për Zotin tonë Jisu Krisht dhe të Përmbishenjtës.

Kur ishte e re, në periudhën e ateizmit ajo bashkë me besimtare të tjera, nuk kishte frikë të shkonte në kisha e manastire të mbyllura ose të rrënuara, ku lutej me “frymë e me të vërtetë” për rihapjen e tyre dhe për ruajtjen e gjithë të krishterëve të përndjekur.

Dhe ja, dita e Ngjalljes erdhi përsëri për Kishën Orthodhokse Shqiptare. Nën drejtimin e ndritur të Kryebariut tonë të shtrenjtë, Kryepiskopit Anastas, populli besimtar e gjeti përsëri udhën e shëptimit. Filluan menjëherë mësime katekizmi, si për gratë ashtu edhe për rininë. Motra jonë Luiza u bë një nga pjesëtaret më të zellshme në mësimet javore që zhvillohen çdo të mërkurë në Katedralen e Ungjillëzimit.

Fjalën e Ungjillit ajo e dëgjoi me ëndje të madhe në të gjitha predikimet, bisedat e takimet në ambientet e kishës.

Veprat përdëllyese për të varfrit e nevojtarët kanë qenë bashkëudhëtare gjatë gjithë jetës së saj. Lidhjen më të ngushtë dhe ngushëllimin më të madh Luiza e ka gjetur në krahët e Shëptimtarit dhe dashurinë për të gjithë shenjtorët e tij.

Prandaj në shenjë mirënjohjeje ajo i dhuroi Kishës sonë Orthodhokse gjithçka që kishte.

Duke pasur parasysh gjithmonë shembullin dhe aromën shpirtërore të mirë që la tek ne, le t’i lutemi Krishtit – Perëndi ta prehë në paqe shpirtin e saj.

Nga një grup besimtarësh e klerikësh.