Bunkerët, të shpërndarë anembanë vendit, kanë përjetësuar një paranojë të tmerrshme, që për dekada zotëroi në vend. Supozohet se ato u bënë që të mbrohej Shqipëria në rast të një sulmi të huaj armik. Në përfundim, vetë ato u treguan ushtria më vdekjeprurëse – “ushtria e hekurbetonit”, – që rrënoi ekonominë e Shqipërisë dhe e çoi vendin në fatkeqësinë më të madhe. Ata që donin me këtë metodë të mbronin Shqipërinë, e shtynë atë në falimentimin ekonomik dhe social. Ata përbënin rrezikun e vërtetë dhe armikun e fshehur.
Për fat të keq, për diçka analoge orvaten disa qarqe, të cilët shtiren se përpiqen të shpëtojnë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga rreziku i të pasurit në krye të saj një kryepiskop të kombësisë jo shqiptare. Vringëllijnë vazhdimisht shqetësimin për sigurinë e vendit, fabrikojnë shpifje dhe sajojnë provokime, që të mbrojnë gjoja Autoqefalinë. Veçse gjetkë e ka folenë në këtë periudhë rreziku për të mos u mëkëmbur Kisha Orthodhokse në Shqipëri. Njohësit e dinë se kërcënimi thelbësor për Autoqefalinë është varfëria ekonomike, nga shkaku i asfiksisë ekonomike që i është imponuar nga pushtetarët e herëpashershëm të Shqipërisë.
Persekutimi i pamëshirshëm gjysëmshekullor komunist e ka konfiskuar gjithë pasurinë e Kishës Orthodhokse në ndërtesa, në prona, në objekte me vlera dhe ka shkatërruar të gjitha vendet kryesore të kultit, administratës, të shkollimit dhe të punës sociale. Në ç’mënyrë mund të rindërtohen të gjitha këto? Me çfarë burime do të shkollohen dhe do të mbahen klerikët dhe kuadrot e tjerë, si do të realizohen botimet e librave liturgjike, me çfarë mjetesh do të kryhet vepra sociale e Kishës?
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, ende e gjakosur, e rrënuar e shkretuar dhe shumë e varfër, ndjen nevojën e një ndihme esenciale dhe bujare nga jashtë. Dhe këtë vepër vigane, në këtë kohë të kthesës historike, e ka marrë mbi supet e veta Kryepiskopi, duke u përpjekur që të ngjallë interesimin dhe dashurinë e të njohurve të tij e të miqve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Jo vetëm në Greqi, por në tërë botën, nëpërmjet Organizmave të mëdha ndërkombëtare të “Konferencës së Kishave Evropiane” dhe të “Këshillit Botëror të Kishave”.
Besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë e dinë që Kryepiskopi i sotëm nuk pushon në ndonjë “fron” pushteti, por punon me mund të madh, pa u lodhur, si “më i vogli dhe shërbëtori” (Ungj. sipas Llukait 22:26,27), në një kantier të pafund, në mënyrë që nga gërmadhat, [me] dhimbje dhe sakrifica, të ngrerë tempuj, famulli, institucione kishtare; të kërkojë të drejta elementare, të cilat pushtetarët vazhdojnë t’ia mohojnë Kishës Orthodhokse.
Për fat të keq, megjithë shpalljet për liri fetare dhe demokraci, përndjekja, qesëndia, diskriminimet e padrejta nuk kanë pushuar për Kishën tonë. Dy vjet pas shpalljes së Demokracisë në Shqipëri ende nuk i janë dhënë Kishës Orthodhokse vendet kryesore të kultit, si për shembull Manastiri i Ardenicës – mushkëria qendrore e jetës shpirtërore të Orthodhoksisë, kisha e Shën Prokopit në Tiranë (që këto të dy ndërtesa të mëdha fetare, vazhdojnë të përdoren si restorante), kisha katedrale e Korçës e shumë të tjera. Megjithë kërkesat këmbëngulëse dhe presionet, as edhe truall ndërtimi nuk disponohen për ngritjen e Shkollës teologjike, të Kryepiskopatës, si edhe për ndërtimin e Kishave nëpër qytete, si në Shkodër, Laç, Durrës, Kuçovë etj.
Ndërkaq, habia e orthodhoksëve po zhvillohet në pakënaqësi, kur shohin se komuniteteve të tjera fetare, myslimanëve e romano-katolikëve, u janë dhënë tashmë e me një lehtësi të madhe, ndërtesat, pronat dhe vendet përkatëse të kultit. Prandaj ata janë të detyruar t’i denoncojnë tani publikisht këto diskriminime të papranueshme dhe të kërkojnë me çdo mënyrë të ligjshme dhënien e drejtësisë. Le të pushojnë përpjekjet që po bëjnë disa qarqe për të çorientuar opinionin publik me vringëllimën e rreziqeve imagjinare. Rreziku i madh që kërcënon Autoqefalinë, por edhe vetë kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, është asfiksia ekonomike, që ia kanë imponuar të fuqishmit e ndryshëm, të vetëquajtur aleatë të tyre, duke i maskuar synimet e tyre me bunkerë të rinj prej letre, shpifjesh prej letre, gjoja për t’u mbrojtur nga një armik i paqenë, ndërkohë që vetë ata e kërcënojnë me propozime të padrejta dhe me qëndrimin e tyre negativ.
“Ngjallja”