EmailFacebookKontakt

Një qendër e re mjekësore orthodhokse në dropull

Më 29 nëntor, në fshatin Jergucat të Dropullit, Mitropolia e Gjirokastrës, u përurua nga Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, Qendra Mjekësore Orthodhokse “Ungjillëzimi”. Kjo qendër në fazën e parë përfshin 5 specialitete: të mikrobiologjisë, radiologjisë, okulistikës, patologjisë dhe pediatrisë.

Qendra është ndërtuar në një truall të gjerë, pronë e Manastirit të Profetit Ilia. Ndërtesa, së bashku me mjediset ndihmëse ka një sipërfaqe prej 400 m2. Vetëm për pajisjet moderne, me të cilat është furnizuar deri tani kjo qendër, janë shpenzuar mbi 125.000 USD.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast morën pjesë shumë besimtarë nga dioqeza e Gjirokastrës, autoritete lokale, drejtues të organizatave të ndryshme, deputetë etj., të cilët me pjesëmarrjen e tyre shprehën mirënjohjen ndaj Fortlumturisë së Tij Anastasit për nismën e hapjes së kësaj qendre mjekësore, për sigurimin e fondeve për ndërtimin dhe pajisjen e saj, si dhe për ndjekjen e vazhdueshme të funksionimit të saj.

Qendra mjekësore orthodhokse në Jergucat do t’u ofrojë shërbime të gjithë banorëve të zonës, sepse ndodhet në një pikë nevralgjike rurale.

Kjo qendër është në vazhdën e një sërë veprash sociale dhe edukative në këtë zonë, si: Kampingu rinor i Likomilit, Konvikti i Vajzave në Bularat, i cili iu ofron qëndrim dhe arsim 60 vajzave nga fshatra të largëta, Instituti i Formimit Profesional në Derviçan, Shkolla e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër, me konvikt, ku studiojnë 85 nxënës, Kompleksi i ri i Edukimit Teknik “Emmaus”, qendra shpirtërore rinore, dy ndërtesa për murgesha, si dhe dy kopshte.

Paralelisht, në këtë zonë të Gjirokastrës janë ndërtuar 12 kisha të reja, janë restauruar 9 kisha-monumente kulture dhe janë riparuar dhjetëra kisha të tjera. U rindërtua një shkollë fillore në Frashtan dhe një ujësjellës për 7 fshatra të Dropullit të Poshtëm. Gjithashtu, janë ndërtuar rrugë të ndryshme nëpër fshatra.